Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Sylvinho ka bërë të gjithë për vete

Kur u prezantua në krye të Shqipërisë, në fillim të këtij viti, Sylvinho foli qartë për objektivin e tij me kuqezinjtë. Ai insistoi se synimi është kualifikimi i Shqipërisë në “Euro 2024” dhe premtoi se do të punojë fort për ta arritur atë synim.

Nëntë muaj pas atyre fjalëve, puna e Sylvinhos ka filluar të dalë në pah. Pas pesë ndeshjeve në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”, Shqipëria është e para në grupin e saj dhe në rrugë drejt kualifikimit në këtë turne që do të mbahet vitin tjetër në Gjermani. Në pesë ndeshjet e këtij cikli eliminator, Shqipëria ka regjistruar tri fitore, një barazim dhe një humbje, duke tubuar dhjetë pikë.

Me punën e Sylvinhos dhe atë që ekipi kuqezi ka treguar në fushë kanë mbetur të kënaqur të gjithë. Kështu ka insistuar kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armando Duka, në një intervistë të martën për “Supersport”. Sipas Dukës, trajneri brazilian me punën e tij ka heshtur edhe kritikët.

“Si rrallëherë, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën e futbollit, Sylvinho dhe stafi i tij kanë përcjellë mesazh pozitiv, kanë krijuar opinion pozitiv dhe Sylvinho nuk ka kritikë. Edhe ata që janë kritikët më të mëdhenj të futbollit shqiptar apo të Federatës Shqiptare të Futbollit, me Sylvinhon janë pozitivë. Kjo është falë përkushtimit të tij, falë punës së tij dhe të stafit”, ka pranuar Duka. “Në fund të fundit ai është dirigjenti, por ka një armatë njerëzish që punojnë me të dhe që janë shumë të përkushtuar. Në ndryshim nga stafet e mëparshme, janë me kohë të plotë në dispozicion të ekipit kombëtar, janë në Federatë, përgatisin ndeshjet, shohin videot. Mendoj që kemi bërë zgjedhjen e duhur”.

Pavarësisht entuziazmit të madh, Duka ka thënë se duhet të qëndrojnë me këmbë në tokë dhe të mos flasin për kualifikim në Evropianin e vitit të ardhshëm. E entuziazmi për kualifikim është shtuar dukshëm, sidomos pas dy ndeshjeve të këtij muaji, ku Shqipëria barazoi 1:1 në Pragë me Çekinë dhe mposhti 2:0 Poloninë në Tiranë. Sipas Dukës, janë edhe tri ndeshje të rëndësishme deri në fund të këtij cikli eliminator dhe Shqipëria duhet të kujdeset të vazhdojë me këtë ritëm për ta konfirmuar vendin e saj në “Euro 2024”.

Edhe Sylvinho beson në fitore ndaj Polonisë Futboll 4 muaj më parë Sylvinho beson në fitore ndaj Polonisë

Ndeshja më e rëndësishme dhe ajo që mund të jetë përcaktuese për kualifikimin e Shqipërisë është me Çekinë. Kjo ndeshje luhet muajin tjetër në stadiumin “Air Albania”, në Tiranë.

“Nuk duhet të bëjmë llogari, nuk duhet të themi që jemi në Gjermani, pavarësisht rezultateve pozitive, pavarësisht paraqitjeve shumë të mira, pavarësisht atmosferës shumë pozitive të krijuar rreth skuadrës. Duhet që t’i vlerësojmë këto tri ndeshje si tri ndeshje finale, duke filluar ashtu siç thuhet në futboll, nga ndeshja e radhës me Çekinë. Çekia është një kundërshtar shumë i fortë, mbase më i fortë se Polonia”, ka paralajmëruar Duka, duke zbuluar faktorët e këtij suksesi të Shqipërisë në këto kualifikime.

“Numri i lojtarëve është një nga faktorët kryesorë të suksesit. Përveçse kemi shumë futbollistë shumë të mirë sot, që janë të nivelit të lartë, që luajnë në ekipe të mira, që marrin minuta në ekipet e tyre, ne kemi stol, kemi të tjerë jashtë skuadrës që mund të ishin në skuadër dhe janë të mirë, gjë që të bën të mendosh se kemi një të ardhme të mirë”.

Duka ka thënë se fitorja me Poloninë e ka gëzuar pa masë, ndërsa ka pranuar se tashmë ka filluar t’i shikojë hotelet në Gjermani, duke i dhënë një paralajmërim selektorit Sylvinho se me një këmbë janë në Evropian. Megjithatë, ai ka insistuar se dueli i 12 tetorit kundër Çekisë në njëfarë mënyre do të jetë përcaktues për kualifikimin e Shqipërisë. Në rast se kualifikohet në këtë ngjarje, atëherë kjo do të jetë hera e dytë për Shqipërinë që do të paraqitet në Kampionatin Evropian. Herën e parë, Shqipëria u paraqit në “Euro 2016”, ku u eliminua në fazën e grupeve me vetëm një fitore.

Edhe Shqipëria mëson kundërshtarët e grupit C1 të Ligës C Futboll 5 muaj më parë Shqipëria mëson kundërshtarët e grupit C1 të Ligës C

“Në avion duke fluturuar për në Çeki kam nxjerrë listën e hoteleve dhe qendrave të grumbullimit para trajnerit Sylvinho dhe i kam thënë të zgjedhim se ku do rrimë në Gjermani. Kjo ishte thjesht për t’i dhënë atij një mesazh që ne do të shkojmë në Gjermani dhe të jemi të përgatitur për këtë. Pa dyshim që ne duhet të përgatitemi edhe për atje, por duhet të mendojmë siç thashë edhe në fillim, që kemi edhe tri ndeshje shumë të vështira. Kemi Çekinë, kjo është më kryesorja, duhet të mendojmë vetëm 12 tetorin kundër Çekisë. Patjetër duhet të pretendojmë dhe të kemi objektiv rezultatin pozitiv me Çekinë”, është shprehur Duka.

Në tetor, Shqipëria luan vetëm një ndeshje në kuadër të kualifikimeve, ndërsa në nëntor e mbyll ciklin me dy duelet e fundit. Më 17 nëntor është mysafire e Moldavisë, ndërsa më 20 nëntor mund të festojë në Tiranë kualifikimin në Evropian pas ndeshjes me Ishujt Faroe.