Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Superliga Evropiane po formohet, UEFA dhe federatat e mëdha reagojnë ashpër

Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka reaguar ashpër pasi është zbuluar se 11 klube të mëdha evropiane kanë nënshkruar për të nisur Superligën evropiane.

UEFA të dielën ka lëshuar një komunikatë të përbashkët me Federatën e Futbollit të Anglisë, Premier Leaguen, Federatën e Futbollit të Spanjës, La Ligan, Federatën e Futbollit të Italisë dhe Lega Serie A. Përmes komunikatës kundërshtohet ashpër projekti për krijimin e Superligës së Evropës.

Këto organizata të fuqishme përmes komunikatës kanë thënë se kanë mësuar se disa klube angleze, spanjolle dhe italiane mund të planifikojnë të shpallin krijimin e një lige të mbyllur, të ashtuquajtur Superliga.

“Nëse kjo do të ndodhë, ne e përsërisim se do të qëndrojmë të bashkuar në përpjekjet tona për të ndalur këtë projekt cinik. Është projekt që bazohet në interesin e vetëm disa klubeve, në një kohë kur shoqëria ka nevojë për solidaritet më shumë se kurrë. Ne do të shqyrtojmë të gjitha masat në dispozicion, në të gjitha nivelet, si juridike ashtu edhe sportive, në mënyrë që të parandalojmë që kjo të ndodhë. Futbolli bazohet në gara të hapura dhe merita sportive dhe nuk mund të jetë ndryshe”, thuhet në komunikatën e përbashkët.

Tutje shkruan se FIFA dhe konfederatat e saj do t’ia ndalojnë klubeve në fjalë që të luajnë në çdo garë tjetër, evropiane apo të nivelit botëror, kurse lojtarëve të tyre mund t’iu mohohet mundësia e përfaqësimit të ekipeve përfaqësuese.

Edhe Superliga Evropiane zyrtarisht projekt i vdekur Futboll Superliga Evropiane zyrtarisht projekt i vdekur

“Ne falënderojmë klubet në vendet tjera, sidomos ato franceze dhe gjermane, që refuzuan të nënshkruajnë për këtë. Ne u bëjmë thirrje të gjithë dashamirëve të futbollit, tifozëve dhe politikanëve, të na bashkohen për të luftuar një projekt të tillë, nëse ai do të shpallet. Ky interes i ngushtë i disave ka vazhduar për kohë të gjatë. Mjaftë është mjaftë”, shkruan në komunikatë.

Sipas Sky Sports, gjashtë klube angleze janë pjesë e planeve për krijimin e Superligës Evropiane. Liverpooli, Manchester Unitedi, Arsenali e Chelsea janë në mesin e klubeve të përfshira, sipas Sky Sports.

Projekti është përgatitur për të rivalizuar Ligën e Kampionëve të UEFA-s që momentalisht dominon futbollin evropian.

Sky Sports raporton se tashmë 12 klube kanë firmosur për krijimin e ligës. Barcelona, Real Madridi e Juventusi janë në mesin e tyre.

Sipas BBC pjesë e projektit të Superligës janë edhe Milani, Atletico Madridi e Interi.

Edhe Barcelona tërhiqet zyrtarisht nga Superliga Evropiane Futboll Barcelona tërhiqet zyrtarisht nga Superliga Evropiane

Premier League ka vlerësuar se Superliga Evropiane do të shkatërroj ëndrrën e tifozëve që ekipi i tyre të rritet, të arrijë në majë dhe të luaj ndaj më të mirëve.

Ende nuk dihet se kur do të startojë Superliga, nëse ajo formohet.