Përderisa klubet që duan të formojnë një Superligë Evropiane përqendrohen në të ardhmen e tyre ekonomike, ato e gjejnë veten të sulmuara nga të gjitha anët për shkak se janë në kundërshtim me të kaluarën e futbollit.
“Krijuar nga të varfrit, vjedhur nga të pasurit”, lexonte një banderolë e mbajtur nga tifozët jashtë stadiumit “Old Trafford” të Manchester Unitedit.
Kjo banderolë e përmblodhi zhgënjimin që ka kapluar shumicën e adhuruesve të futbollit që kur u njoftuan planet për krijimin e Superligës Evropiane, ku tashmë 12 klube të mëdha kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, tha se liga e propozuar është e mbyllur dhe një turp i madh. Madje ai tha se klubet që po e krijojnë Superligën ua kanë kthyer shpinën tifozëve, të cilët po i shohin si klientë.
“Të gjithë janë të bashkuar kundër këtij propozimi të turpshëm, të nxitur nga lakmia mbi të gjitha. Klubet po i shohin tifozët si klientë dhe kjo për lojën e futbollit është e papranueshme”, tha Çeferin të martën.
Edhe
Çeferin paralajmëron klubet që insistojnë për Superligën Evropiane
Madje UEFA në kongresin e jashtëzakonshëm të mbajtur në Montreux të Zvicrës, pas krijimit të Superligës Evropiane, së bashku më anëtarët e saj unanimisht ka aprovuar një deklaratë për të dënuar fuqishëm këtë garë.
“55 federatat anëtare dhe pjesëmarrësit në Kongresin e UEFA-s kanë dënuar deklaratën e së ashtuquajturës ‘Superligë’. Kongresi i UEFA-s është i prerë se ‘Superliga’ e mbyllur bie ndesh me vetë konceptin e asaj, që do të thotë të jesh evropian: i unifikuar, i hapur, mbështetës dhe parimor mbi vlerat sportive”, thuhet, ndër të tjera, në njoftimin e UEFA-s.
Përkundër kundërshtimit të tifozëve të tyre, qeverive kombëtare dhe autoriteteve të futbollit, 12 klubet po bëjnë presion për të vazhduar përpara me Superligën. Ato përfaqësojnë vetëm shtatë qytete në tri vende. Gjashtë janë nga Anglia dhe nga tri prej Spanjës e Italisë. Dyshimi i tifozëve se klubet po humbin kontaktin me rrënjët e tyre përforcohet nga pronësia e huaj e shumicës së klubeve, siç po i quajnë “rebele”, në disa raste përmes kompanive të patundshme. Manchester City është në pronësi të Sheikut Mansour, një anëtar i familjes mbretërore nga Abu Dhabi. Skuadra nga Serie A, Interi, kontrollohet nga kompania kineze “Suning”. Chelsea është në pronësi të miliarderit rus Roman Abramovich.
“Amerikanizimi i botës”
Por dyshimi më i madh është se liga e propozuar është pjesë e asaj që historiani francez i futbollit Paul Dietschy e quajti “amerikanizimi i botës”. Katër ekipe që tashmë kanë paralajmëruar pjesëmarrjen në Superligë: Liverpooli, Manchester Unitedi, Arsenali dhe Milani, janë në pronësi të amerikanëve ose kompanive me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Prej këtyre kompanive, tri kanë në pronësi ekipe në sportet kryesore amerikane. “Fenway Sports Group” që ka në pronësi Liverpoolin, gjithashtu zotëron ekipin e bejsbollit Boston Red Sox. Familja Glazer që është pronare e Manchester Unitedit, zotëron kampionin e “Super Bowl”, Tampa Bay Buccaneers. Stan Kroenke, i cili kontrollon Arsenalin, gjithashtu zotëron Los Angeles Rams të Ligës Kombëtare të Futbollit dhe Denver Nuggets, ekipin e basketbollit në NBA.
Ekziston gjithashtu një ndikim amerikan në Juventus. Klubi ka një lidhje të gjatë me “Fiat”, tani pjesë e grupit amerikano-italian “Stellantis”. Presidenti amerikan i asaj kompanie, John Elkann, një nip i ish-pronarit të Juventusit, Gianni Agnelli, caktoi kushëririn e tij, Andrea Agnelli, për ta drejtuar klubin nga Serie A.
Superliga e propozuar po nënshkruhet nga paratë amerikane, në formën e një kredie prej katër miliardë dollarësh nga banka e Wall Streetit “JPMorgan Chase”.
“Sporti amerikan historikisht ka qenë shumë i përqendruar në fitim”, tha Chris Winn, një studiues në Kampusin Universitar të Biznesit të Futbollit, i cili ka lidhje me Manchester Cityn dhe Burnleyn.
“Nuk është rastësi që ekziston një grup thelbësor amerikan në zemër të këtyre propozimeve të Superligës. Elita evropiane e futbollit po kërkon një pjesë të garantuar të byrekut çdo vit”.
Edhe
Klubet elitare do të mblidhen përsëri, kundërshtarët të gatshëm t’i luftojnë ato
Një studiues tjetër shtoi se klubet nuk po dëshirojnë më të mbyllen vetëm në peizazhin e tyre lokal.
“Këto klube po bëhen marka dhe për këtë arsye synojnë tregjet e tjera”, thotë Paul Dietschy, historian francez i futbollit.
“Të pasurit vjedhin atë që krijuan njerëzit”
Por Dietschy paralajmëroi se “ne duhet të jemi të kujdesshëm ndaj romantizmit të aplikuar në futboll. Më të pasurit kanë dominuar gjithmonë. Ajo që ka ndryshuar, megjithatë, është se sot paratë nuk përdoren më për të fituar ndeshjet, por për të siguruar një fitim”.
UEFA po udhëheq luftën e vështirë për të shuar iniciativën dhe për të mbajtur kontrollin në futbollin evropian. Konfederata Evropiane ka marrë përkrahje edhe nga FIFA pasi kreu i saj, Gianni Infantino insistoi se klubet që do të marrin pjesë në Superligën Evropiane do të kenë pasoja të mëdha.
“Ne vetëm dhe fuqimisht mund të mos e pranojmë një Superligë, e cila është një dyqan i mbyllur, i shkëputur nga institucionet aktuale. Pa dyshim që FIFA nuk e miraton një gjë të tillë. Mbështetje e plotë për UEFA-n”, ka thënë Infantino.
Deri më tani Superliga nuk ka tërhequr asnjë klub në tregun kryesor të Gjermanisë. Bayern Munichu dhe Borussia Dortmundi kanë marrë qëndrim publik kundër planit të Superligës. .
“Unë do të doja ta bëja të qartë se FC Bayerni nuk do të marrë pjesë në Superligë”, tha kryetari i klubit gjerman, Karl-Heinz Rummenigge, në një deklaratë të martën.
Ashtu si Barcelona dhe Real Madridi, dy gjigantët e Bundesligës janë në pronësi të tifozëve, por mbështetësit gjermanë kanë qenë prej kohësh mbrojtës të zëshëm të traditave të futbollit. Bayerni drejtohet nga ish-lojtarë gjermanë në kontrast me klubet e Superligës.
Edhe
Çeferin thotë se ekipet që formuan Superligën do të përballen me pasoja
“Drejtorët e këtyre klubeve janë njerëz të trajnuar në shkollat e menaxhimit të lartë dhe logjika e tyre është ajo e biznesit dhe fitimit”, tha Dietschy.
Përktheu: Tahir Sopi