Edicioni i sivjetmë i Superkupës së Spanjës do të luhet në regjionin e Andaluzisë dhe jo në Arabinë Saudite në muajin janar për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Lajmin e ka bërë të ditur të shtunën gazeta spanjolle “El Pais”.
“El Pais” ka raportuar se në Arabinë Saudite nuk është shprehur dëshirë për t’u bërë nikoqire e garës deri në përfundim të koronavirusit dhe kur tifozët të rikthehen në stadiume.
Po ashtu është bërë e ditur se është arritur marrëveshja me federatën edhe për një vit tjetër, për t’i kompensuar humbjet në të hyra.
Federata e Futbollit e Spanjës nuk e ka konfirmuar ndryshimin, por thuhet se zyrtarizimi do të bëhet shumë shpejt.
Kampioni Real Madridi dhe nënkampionia Barcelona janë kualifikuar në Superkupë, bashkë edhe me finalistët e Kupës së Mbretit, Real Sociedad dhe Athletic Bilbao.
Edhe
Zgjedhjet e FIFA-s mund të jenë vendimtare për finalen e Botërorit 2030
Sipas gazetës “El Pais”, finalja do të luhet më 17 janar në stadiumin “La Cartuja” në Sevilla, ndërsa gjysmëfinalet do të luhen më 13 dhe 14 janar, në Sevilla, Malaga apo Cordoba.
Tifozët nuk pritet të lejohen të futen në stadium, për shkak të masave kundër virusit, që ende janë të pranishme në Spanjë.