Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Supergoli i Olises ia mohon fitoren Unitedit

Supergoli i mesfushorit Michael Olise në fund të ndeshjes, ia ka mohuar fitoren skuadrës së Manchester Unitedit.

Unitedi të mërkurën mbrëma barazoi në udhëtim te Crystal Palace 1:1. Ishte ndeshje e mbetur e xhiros së shtatë të Premier Leagues. Bruno Fernandes shënoi për epërsinë e Unitedit në minutën e 43-të, pas asistimit të Christian Eriksenit. Në 140 paraqitje për “djajtë e kuq”, portugezi shkoi në kuotën e 55 golave të shënuar gjithsej, ndërsa ka edhe 45 asistime.

Fernandes iu bashkua Unitedit në janar të vitit 2020 nga Sportingu për 63 milionë euro. Megjithatë, Unitedi nuk e mbajti deri në fund epërsinë e krijuar.

Olise në minutën e parë të kohës shtesë, nga një kënd shumë i vështirë, realizoi nga gjuajtja e lirë për rezultatin final të takimit, 1:1. Me këtë barazim, të drejtuarit e Erik ten Hagut kanë 39 pikë në vendin e tretë.

Pikë të njëjta ka edhe City në pozitën e dytë, por një ndeshje më pak të zhvilluar. 47 pikë ka Arsenali në vendin e parë. Crystal Palace ndërkohë në vendin e 12-të ka 23 pikë.