Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Sulmuesja e Argjentinës që në Botëror po luan me tatuazhin e Cristiano Ronaldos

(AP) – Një sulmuese e Përfaqësueses së Argjentinës që ka një tatuazh të Cristiano Ronaldos dëshiron që të mos kritikohet nga fansat për shkak se e ka idhull sulmuesin e Portugalisë në vend të Lionel Messit, i cili vlerësohet si hero në vendlindjen e tij. Yamila Rodriguez ka mbrojtur tatuazhin e Cristiano Ronaldos në këmbën e saj të majtë, duke thënë se favorizimi i yllit portugez nuk është një shenjë se ajo nuk e vlerëson Messin, i cili vitin e shkuar e fitoi Kupën e Botës me Argjentinën. 25-vjeçarja, e cila gjithashtu ka një tatuazh të legjendës argjentinase, Diego Maradonas, në kofshën e majtë, tha se kishte marrë kritika të shumta në rrjetet sociale për tatuazhin e Ronaldos, rivalit të madh të Messit. Për shkak të kritikave të shumta, Rodriguez është detyruar të mërkurën që të bëjë një reagim në rrjetet sociale, duke kërkuar nga tifozët që të tërhiqen nga kritikat ndaj saj. Ajo është pjesë e Argjentinës që po paraqitet në Kampionatin Botëror të femrave që po mbahet në Australi dhe Zelandë të Re. Argjentina është pjesë e Grupit G dhe deri më tani ka luajtur një ndeshje në Botëror, të cilën e ka humbur nga Italia (1:0). Pjesë e këtij grupi, janë edhe Suedia e Afrika e Jugut.

“Ju lutem, ndaloni me kritikat, pasi mjaftojnë ato që i keni bërë deri më tani. Po ju drejtohem në këtë mënyrë për shkak se nuk jam mirë shkaku i kritikave të shumta që i kam marrë. Kur thashë që jam kundër Messit? Ndaloni të thoni gjërat që nuk i kam thënë sepse po kaloj vërtet një periudhë të vështirë”, ka shkruar Rodriguez në Instagram. “Nuk po kaloj keq për shkakun tuaj (tifozëve) por për mizoritë që thuhen pa mëshirë. Nuk mund të keni një idhull apo një lojtar që ju pëlqen? Messi është kapiteni ynë i madh në kombëtare, por fakti që unë them se frymëzimi dhe idhulli im është CR7 (Ronaldo) nuk do të thotë se e urrej Messin”.

Rodriguez tha se nuk shihte asnjë problem për të pasur një tatuazh të Ronaldos, pasi sulmuesi portugez, i cili ka shënuar mbi 800 gola në karrierën e tij, e frymëzoi atë të merrej me futboll.

“Ku është problemi? Nuk jemi të gjithë të detyruar të duam vetëm lojtarët e vendit tonë. “Ju lutem kuptoni që ky është futboll dhe të gjithë kanë vlerësimin, preferencat e tyre dhe të theksosh njërën nuk do të thotë të varrosësh tjetrin. Mjaft, më keni lodhur dhe kjo po më dhemb shumë”.

Për fund, Rodriguez ka shtuar se ajo ka “dy lojtarët më të mirë në botë në këmbën time të majtë”. Ndeshjen e radhës në Botëror, Argjentina e luan të premten kundër Afrikës së Jugut, ndërsa në duelin e fundit të grupit do të përballet me Suedinë (2 gusht). Aktualisht, Grupit G i prijnë Suedia dhe Italia me nga tri pikë të mbledhura.