Sport

Sulmohen zyrtarët dhe autobusi i KB Bashkimit në Mitrovicë pas ndeshjes ndaj Trepçës

Është sulmuar autobusi i KB Bashkimit pas ndeshjes së sotme të zhvilluar në Mitrovicë ndaj Trepçës, e gjithashtu ka pasur edhe sulme fizike ndaj zyrtarëve të klubit nga Prizreni.

Këtë e ka konfirmuar klubi i Bashkimit përmes faqes në Facebook, transmeton Koha.net.

“Autobusi i klubit tonë sonte pas ndeshjes me Trepçën është sulmuar nga persona të panjohur. Gjithashtu ka pasur sulme fizikisht edhe ndaj zyrtarëve të klubit tonë”, shkruan KB Bashkimi.

KB Bashkimi ka ftuar FBK-në dhe organet e sigurisë të ndërmarrin masat.

“Akte të tilla vandale nuk i përkasin sportit. Ftojmë Federatën dhe organet gjegjëse të sigurisë të marrin masat e duhura dhe t'i dënojnë këta vandalë”, thuhet në postimin e KB Bashkimit.

Kujtojmë se Bashkimi ka fituar derbin e sotëm ndaj Trepçës me vetëm një pikë diferencë, 69-70.