Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Sukses tjetër i xhudos, Flaka Loxha e argjendtë në European Open

Xhudistët kosovarë vazhdojnë të fitojnë medalje. Të shtunën në Sofje të Bullgarisë ka nisur gara European Open, që vlerësohet me rëndësi për xhudistët që synojnë të stabilizohen në nivelin e të rriturve.

Dhe Kosova, si zakonisht, nuk mbeti pa medalje.

Flaka Loxha ka fituar medaljen e argjendtë në kategorinë deri 57 kilogramë, për njërin prej sukseseve më të mëdha në karrierën e deritashme. 23-vjeçarja në finale u përballë me bartësen e parë, bullgaren me përvojëIvelina Ivilieva. Bullgarja u mbështet në përvojën e madhe që ka dhe fitoi me Ippon. Fillimisht realizoi aksion për uazari e më pas me mbërthim siguroi Ipponin.

Flaka ishte bartësja e tretë. Në xhiron e parë ishte e lirë, ndërsa në të dytën e mposhti belgen Eveline Delbaen. Më pas fitoi ndaj Angjela Samargjiqit të Bosnjë-Hercegovinës. Në gjysmëfinalen e fortë e kaloi spanjollen Adriana Rodriguez Salvador.

Ajo ka disa suksese te të rriturat dhe po zhvillohet gradualisht.