Kosovare Asllani ishte kapitene sërish te Përfaqësuesja e Suedisë, që shënoi fitoren e dytë në Grupin G dhe e siguroi kalimin në fazën nokaut. Asllani, megjithatë, nuk la gjurmë me gol apo asistim, por bashkëlojtaret e saj shënuan pesë gola në fitoren 5:0 ndaj Italisë në Botërorin e futbollisteve.
Amanda Ilestedt në minutën e 39-të realizoi për 1:0, ndërsa Fridolina Rolfo realizoi për 2:0 në minutën e 44-t.
Stina Blackstenius e mbylli çështjen e fituesit në pjesën e parë me golin e tretë të Suedisë, në minutën e parë të shtesës në pjesën e parë.
Ilestedt shënoi edhe një herë tjetër në minutën e 50-të, kurse Rebecka Blomqvist, në minutën e pestë të shtesës, realizoi për 5:0.
Asllani luajti deri në minutën e 62-të. Suedia i prinë grupit me gjashtë pikë, tri më shumë se Italia. Afrika e Jugut dhe Argjentina kanë nga një pikë.