Trajneri me qëndrimin më të gjatë në Bundesligë, ka vendosur të tërhiqet.
Christian Streich, që ka drejtuar Freiburgun për më shumë se 12 vjet, ka thënë të hënën që do të largohet në fund të edicionit. Ai i jep fund periudhës prej 29 vjetësh si trajner në klubin Freiburg. Periudha e tij në klub nisi në vitin 1995 kur mori drejtimin e ekipit U19. Më pas ishte asistent në ekipin e parë, ndërsa prej vitit 2011 kryetrajner në ekipin e parë.
Ai ka thënë se vendimin e mori me zemër të rënduar.
“Kam menduar për këtë shumë gjatë. Kemi ecur së bashku kohë të gjatë. Por mendoj që pas 29 vjetësh është koha e duhur për energji të re, njerëz të rinj, mundësi të reja”, ka thënë Streich.
58-vjeçari Streich largohet pasi u bë i pëlqyer te Freiburgu dhe jo vetëm për pasionin e tij gjatë drejtimit të ndeshjeve. Po ashtu me përulësinë e tij.