Trajneri i Serbisë, Dragan Stojkoviq ka pranuar se goli i dytë i Zvicrës e theu ekipin e tij, i cili edhe e humbi ndeshjen 3:2 dhe u eliminua në fazën e grupeve. Serbia ishte në epërsi 2:1, përpara se Breel Embolo të barazonte shifrat në 2:2 në fund të pjesës së parë.
Stojkoviq ka thënë se ky gol e prishi planin e tij për ta mbrojtur rezultatin në pjesën e dytë. Po ashtu, shtoi se ky gol ndikoi pozitivisht te Zvicra edhe në aspektin psikologjik.
“Ne e arritëm atë që është më e vështira, që prej minusit të kalojmë në plus. Kur avancuam 2:1 në kishim një plan tjetër, pasi po bënim gati një ndërrim të dyfishtë për pjesën e dytë për të qenë më të mirë në aspektin defensiv. Por, pastaj ndodh që pranuam gol në minutën e fundit të pjesës së parë dhe prishet plani. Ne donim të shkonim me një sistem tjetër, të mbrojmë avantazhin duke u fokusuar në mbrojtje dhe kundërsulme”, është shprehur Stojkoviq.
“Pastaj në pjesën e dytë pranuam edhe golin e radhës dhe ishim në disavantazh. Pas kësaj nuk gjenim mundësi për të reaguar dhe nuk kishim as forcë. Goli i barazimit ndikoi shumë mirë te Zvicra në aspektin psikologjik”.