Pas gjithë gjakut të keq dhe ndjenjave të zemërimit, Shakur Stevenson dhe Joet Gonzalez më në fund vënë dorëzat për t’u ndeshur mes vete të shtunën mbrëma.
Në fund ishte Stevensoni, ylli në ngritje i boksit profesionist dhe medalisti i argjendtë olimpik nga “Rio 2016”, që dhuroi një performancë mjeshtërore për të fituar lehtësisht titullin vakant të peshës së lehtë në versionin WBO në Reno të Nevadas në SHBA, shkruan ESPN, transmeton “Koha Ditore”. Të tre anëtarët e jurisë vlerësuan luftën 119:109 në favor të Stevensonit.
“Është ndjenjë e jashtëzakonshme. Unë erdha këtu në Reno, më afër vendlindjes sime, dhe e dërrmova atë, kështu që ishte ndjenjë e jashtëzakonshme. Një nga ndjenjat e mia më të mira në jetë”, ka thënë Stevenson.
Në thelb të këtij acarimi mes të dyve ishte fakti se e dashura e Stevensonit në tre vjetët e fundit, është motra e vogël e Gonzalezit. Bëhet fjalë për Jajairan, një boksiere amatore. Gonzalez nuk e ka fshehur faktin që nuk pëlqen marrëdhënien e tyre apo Stevensonin. Babai i tyre dhe trajneri i Joetit, Jose Gonzalez, po ashtu kanë ndjenjën e njëjtë dhe është larguar nga vajza e tij.
Stevenson thotë se shpreson që tash që ka mbaruar lufta, mund t’i lënë këto ndjenja të këqija prapa vetes dhe “thyerja” me familjen Gonzalez të jetë në gjendje të riparohet.
“Joet është shumë i fortë. Kam vetëm respekt për Joetin. Nuk ka asgjë për t’u zemëruar me të. Nëse ai dëshiron të jemi në rregull, atëherë do të jemi në rregull. Ishte vetëm biznes. Ishte personale për të, por thjesht punë për mua. Ata donin të ndesheshin me mua, unë nuk e doja këtë. Por a mund të lutem të flisni me vajzën tuaj? E gjitha është kjo që mund të them. Ju lutem flisni me vajzën tuaj dhe motrën tuaj. Vetëm kaq kam”, ka thënë Stevenson.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)