Skuadra e njohur nga Belgjika, Standard, ka shprehur interesim për mbrojtësin e krahut të djathtë, Mërgim Vojvoda, që është reprezentues i Kosovës.
Lajmi është bërë i ditur të martën nga mediumet belge, përcjell Koha Ditore. Vojvoda që aktivizohet te Mouscroni, te Standardi shihet si përforcim i duhur për repartin e mbrojtjes.
Negociatat mes skuadrave tashmë kanë filluar dhe marrëveshja pritet të finalizohet në fund të këtij edicioni.
Kartoni i Vojvodës vlerësohet rreth 800 mijë euro. 24-vjeçari këtë edicion ka shënuar një gol dhe ka dhënë një asistim në 37 ndeshje për Mouscronin në të gjitha garat.
Me këtë ekip ka kontratë deri në verën e vitit 2020. Vojvoda prej vitit 2017 është pjesë e Përfaqësueses së Kosovës dhe deri më tash ka regjistruar 15 paraqitje.