Punimet në stadiumin e Prishtinës po ecin me hapa të ‘breshkës’. Por, edhe pse është duke u punuar ngadalë, punët nuk janë duke u kryer në mënyrë cilësore dhe mund të jenë rrezik i madh për shikuesit.
Rrezik paraqet vendosja e hekurave si përforcues, në pjesët e jashtme të tribunave, lindore, veriore dhe jugore. Këtë e ka thënë për Sportin në KTV, arkitekti Valdet Osmani, i cili është i brengosur se si është duke u punuar.
Sipas tij, e gjithë kjo që po ndodh është vetëm një improvizim dhe asgjë tjetër. Osmani theksoi se më lirë dhe sigurt do të ishte që të ndërtoheshin tribunat e reja, të cilat do të kushtonin 3 milionë euro, sesa të bëhen punët shkel e shko.
Njohësi i këtyre punëve është skeptik se punimet e tilla do të pranohen nga UEFA. Në fillim të renovimit të stadiumit, ekspertë nga Gjermania kishin hartuar një projekt në detaje dhe kishin rekomanduar se si duhet të rregullohet stadiumi. Ata kishin propozuar që më sigurt është të ndërrohen tribunat e reja në lindje, veri dhe jug, por një gjë e tillë nuk ishte përfillur nga projektuesi dhe Departamenti i Sportit. E pikërisht për shkak të projektit jo të mirë në fillim, UEFA kishte vërejtje të shumta dhe kishte rekomanduar që të rregullohen disa pika të projektit, që ishin në kundërshtim me rregullat e shtëpisë së futbollit evropian. Sporti në KTV e ka kontaktuar edhe drejtorin e Departamentit të Sportit, Ibër Alaj, i cili nuk ka pranuar të flasë, por ka thënë se është i gatshëm të dalë në debat publik me secilin nga arkitektët, të cilët pretendojnë se punimet nuk janë të nivelit që kërkohen.
Ekipi i Kohavisionit, të premten, ka qenë në stadiumin e Prishtinës dhe si zakonisht nuk ka parë më shumë se 10 punëtorë duke punuar. Ndryshe, ky stadium planifikohet të jetë i gatshëm në muajin shtator për ndeshjen e fundit që Kosova e luan kundër Finlandës për kualifikueset e Botërorit ‘Rusia 2018’.
-
UEFA ngul këmbë se disa punë në stadium duhet të ribëhen
-
Fillojnë punimet për rinovimin e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri”
-
Prishtina nuk i hapi dyert për shikues nga frika se mund të dënohet nga UEFA
-
Komuna e Prishtinës diskuton me FFK-në për zgjerim të kapaciteteve të stadiumit “Fadil Vokrri”
-
Asgjë e qartë për të ardhmen e stadiumit “Fadil Vokrri”