Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

“Sporti Total” analizon javën e fundit të futbollit

Në xhiron e fundit të IPKO Superligës së Kosovës në futboll, “Sporti Total” këtë të diel do t’i kushtohet në tërësi futbollit vendor.

Duke përmbyllur një sezon cilësor me shumë ekipe të forta që synojnë kreun dhe duke parë ndryshimet e liderëve nëpër javë, xhiroja e fundit e Superligës do të përcaktojë kampionin e stinorit vjeshtor.

“Sporti Total” këtë të diel sjell në fokus xhiron e 17-të IPKO Superligës në futboll, me disa krye-ndeshje në program. Liderit të Superligës “Ballkani” i mjafton vetëm një pikë për t’u bërë kampion vjeshtor dhe për të kurorëzuar një supersezon që e ka bërë ekipi nga Suhareka. Por, për ta realizuar këtë i duhet ta kalojë pengesën në Vushtrri.

Ndërkohë dy ekipet e tjera pretendente për titull, Gjilani e Prishtina, përballen, për t’iu afruar “Ballkanit”.

“Si asnjëherë më parë lufta për titull kampioni nuk ka qenë kaq rivalizuese, me aktualisht katër ekipe në garë të ngushtë, por edhe dy të tjera me formë të luhatshme. Duke e ditur se në sezonin e ardhshëm do të bien katër ekipe nga Superliga, gjashtë skuadra janë pjesë e garës për titull, dhe gjashtë të tjerat për mbijetesë, duke e bërë Superligën njërën ndër ligat më rivalizuese në rajon”, ka thënë Bujar Mehmeti, redaktor i Sportit në KTV dhe udhëheqës i emisionit “Sporti Total”.

Duke e parë këtë rrjedhë të garave, Sporti në KTV, që ka përcjellë shumicën e ndeshjeve gjatë gjithë sezonit të Superligës, edhe këtë të diel, do të sjellë të gjitha raportet në “Sportin Total”.

Edhe “Sporti Total” nga arena vendore e ndërkombëtare Sport “Sporti Total” nga arena vendore e ndërkombëtare

“‘Sporti Total’ do të sjellë të gjitha duelet e fundjavës, me detaje, analiza e deklarata, ndërsa do të ketë edhe një bisedë me drejtuesit e Federatës së Futbollit, lidhur me rrjedhën e kampionatit, pushimin e gjatë që do ta kenë skuadrat dhe përgatitjet për pjesën pranverore të futbollit”, ka thënë Mehmeti.

Krahas futbollit, në “Sportin Total” të dielën vijnë si zakonisht edhe raportet nga ndeshjet e basketbollit, Ligës së Parë në futboll, nga hendbolli në të dyja konkurrencat dhe nga volejbolli. Rubrika e dashur e publikut, e cila sjell ngjarjet e pazakonta në terrenet e sportit kosovar, “Faullat e javës”, vjen në përfundim të sportit vendor.

Krejt në fund të “Sportit Total”, vijnë si zakonisht edhe raportet nga top-ligat evropiane në futboll. “Sporti Total” transmetohet çdo të diel, nga ora 22:15, në KTV.