Sport

Sporti që nuk dha asnjë kampion këtë vit

Pesë ditë para se Qeveria e Kosovës të marrë vendim për pezullimin e të gjitha aktiviteteve sportive në vend pas rasteve të para të paraqitura me koronavirus, Federata Skitare e Kosovës (FSK) organizoi kampionatin për të rinj.

Kampionati për kategoritë U-8, U-10 dhe U-12, meshkuj dhe femra, në disiplinën e sllallomit të madh dhe kategoritë U-14 dhe U-16 në sllallom, u mbajt më 7 dhe 8 mars në qendrën e skijimit “Arxhena” në Brod të Dragashit. Nxori edhe kampionët e grupmoshave të reja.

Por ky kampionat do të anulohet dhe asnjërit prej fituesve nuk do t’i njihet titulli i kampionit. Vendimin për anulimin e kampionatit për të gjitha grupmoshat, FSK-ja pritet ta marrë të dielën, kur edhe do ta mbajë mbledhjen e Bordit, ku të pranishëm do të jenë edhe kryetarët e të gjitha klubeve.

“Nuk mund të shpallet i përfunduar kampionati përderisa nuk kemi mundur ta mbajmë edhe kampionatin për të vjetër. Të gjitha do t’i shqyrtojmë në mbledhjen e Bordit, ku përveç këtyre do të diskutohet edhe për pakon emergjente të ndarë për klube nga Qeveria e vendit”, ka thënë kryetari i Federatës Skitare të Kosovës (FSK), Milaim Kelmendi, për KOHËN, të mërkurën.

Në fakt, FSK-ja pas përfundimit të kampionatit për gjeneratat e reja, më 9 mars, organizoi edhe garën ndërkombëtare në kuadër të kalendarit zyrtar të Federatës Ndërkombëtare të Skitarisë (FIS). “Dardania Cup” u organizua në Brod, në disiplinën sllallom.

Pas kampionatit për gjeneratat e reja dhe garës ndërkombëtare, FSK-ja kishte në plan organizimin edhe të kampionatit për kategoritë e vjetra. Por nuk e mbajti për shkak të izolimit të vendit si pasojë e përhapjes së koronavirusit edhe në Kosovë. Pra, mbetën dy ngjarje të vetme të organizuara në sportin e skitarisë.

“Skitarët janë pa pikë e pa rezultate këtë vit. Nisi mirë, kishte edhe borë që na mundësonte t’i përfundonim deri në qershor të gjitha garat. Por pandemia na ka kthyer shumë prapa. Na ka lënë pa shkelur borën. E keqja është që qysh nga marsi skitarët e rinj dhe të vjetër kanë qenë pasivë. Kanë ushtruar fizikisht, por pa pasur mundësi të dalin në borë. Të vetmen mundësi për ta mbajtur formën fizike e kanë pasur palestrën ose vrapimin në natyrë”, ka theksuar Kelmendi.

Në kalendarin e ri të garave, të cilin e ka edhe KOHA, garat e ardhshme planifikohen nga viti 2021. Gara e parë planifikohet të mbahet në muajin shkurt. Më 28 shkurt është paraparë të mbahet kupa memoriale “Hajrush Demaj”, derisa kampionati i Kosovës për të rinj dhe një garë ndërkombëtare e FISI-it planifikohet të mbahet më 7 dhe 8 mars. Më 20 dhe 21 mars është paraparë të mbahet edhe një garë tjetër ndërkombëtare për kategoritë e vjetra. Për kategoritë e vjetra planifikohet edhe kampionati i Kosovës në Brezovicë, më 27 dhe 28 mars, derisa më 3 dhe 4 prill, ajo e fundit, Kupa e Gjeravicës për të gjitha kategoritë, garë që nuk parasheh poentimin e garuesve.

Por, Kelmendi ka frikë se nëse situata me koronvirus vazhdon të jetë e njëjtë e po ashtu masat e Qeverisë së vendit nuk lehtësohen, atëherë do të rrezikohet organizimi i garave edhe për vitin 2021.

“Rrezikojmë të mos kemi mundësi të shkelim borën edhe gjatë këtyre muajve e me këtë edhe organizimin e garave që i kemi në plan sipas kalendarit. Por, ne jemi sport i natyrës dhe garuesit tanë garat i zhvillojnë në distancë. Neve si sport nuk është dashur të na pengojnë, shkaku që jemi sport që nuk rrezikojmë askënd”, ka theksuar i pari i skitarëve.

Federata Skitare e Kosovës ka paraqitur një ekip për ta përfaqësuar Kosovën në dy gara të FIS-it, që do të mbahen gjatë javës së ardhshme në Itali. Skitarët Arbi Pupovci, Drin Kokaj dhe Fiona Kryeziu kanë nisur përgatitjet tashmë katër ditë. Atyre në përgatitje ku është edhe përzgjedhësi Agim Pupovci pritet t’iu bashkohet edhe Albin Tahiri.

“Në përgatitjet në Norvegji është edhe Fiona Blaka Rusta. Në botërorin që është planifikuar të mbahet në shkurt në Itali, pos Fionës do të marrin pjesë edhe Albin Tahiri dhe Arbi Pupovci. Kemi tentuar t’i përfshijmë edhe të rinjtë, por nuk janë pranuar shkaku i kualifikimit. Të njëjtët janë edhe potencial për pjesëmarrje në lojërat olimpike ‘Pekini 2022’”, ka thënë Kelmendi.