Skitarët e Kosovës janë para dy ngjarjeve të mëdha. Brenda një muaji skitarët kosovarë duhet të marrin pjesë në dy gara.
Fillimisht planifikohet pjesëmarrja e skitarëve të Kosovës në Festivalin Olimpik Dimëror për Rinj (EYOF), ndërsa ngjarja e dytë dhe më e madhe për nga rëndësia është Kampionati Botëror.
Festivali Evropian (EYOF) mbahet në Friuli-Venezia Giulia të Italisë nga 21 deri më 28 janar, ndërsa Botërori zhvillohet nga 5 deri më 19 shkurt në Meribel të Francës.
Kryetari i Federatës Skitare të Kosovës (FSK), Milaim Kelmendi, thotë se në mungesë të mjeteve financiare skitarët do të marrin pjesë në këto dy ngjarje të papërgatitur.
Aktualisht problem më i madh për skitarët e vendit, por edhe të shumë vendeve të tjera, është mungesa e borës.
“Aktualisht skitarët e Kosovës po mbahen me financa të prindërve. Ne nuk kemi mjete financiare. Jemi në pritje të dhënies së licencës nga MKRS-ja. Herën e parë na kanë kthyer për plotësim të dokumentacionit dhe disa gabimeve nga klubet, ndërsa tash jemi në pritje të një përgjigje. Jemi vonuar shumë, ashtu siç e humbëm një vit shkaku i pandemisë po e humbim edhe një vit shkaku licencimit. Skitarët kanë shkuar në përgatitje me aq mjete sa kishim në dispozicion. Kemi kërkuar 30 mijë euro, na janë lëshuar 17 mijë nëpërmjet KOK-ut për përgatitjet për Festivalin Olimpik Dimëror për të Rinj. Nuk ka qenë përgatitje e mjaftueshme”, ka thënë Kelmendi të enjten.
Ai thotë se Federata është në borxhe nga viti i kaluar. Festivali në fakt është ngjarje olimpike dhe pjesëmarrja menaxhohet nga Komiteti Olimpik i Kosovës.
“Sa i përket pjesëmarrjes së skitarëve të Kosovës në Festivalin Olimpik Dimëror për të Rinj, KOK-u mbulon shpenzimet. Por ne kemi Botërorin që mund të dështojë. Pra rrezikojmë të mos dërgojmë skitarët në Botëror pasi nuk kemi mjete financiare, ndërsa skitarët janë të papërgatitur. Kemi arritur së fundi të renditemi në vendin e 15-të më të mirë në botë, tani rrezikojmë të kthehemi në vendin e 40-të ku ishim para tre apo katër vjetësh. Ekipi në këto dy ngjarje përbëhet nga Albin Tahiri, Arbi Pupovci, Kiana Kryeziu, Lirika Deva, Arba Pupovci dhe Drin Kokaj. Asnjëri nuk është i përgatitur mirë. Nuk kemi as borë për përgatitje në Kosovë. Kemi rreth 40 mijë euro borxh ndaj hoteleve dhe resorteve të skijimit. Deri tash kanë pasur mirëkuptim dhe nuk na kanë dërguar te përmbaruesi”, ka theksuar Kelmendi.
Ai thotë se Federata Skitare e Kosovës nuk ka mjete të paguajë as uniformat e garuesve për Botërorin e këtij viti.
“Rreth 12 mijë euro kushtojnë uniformat që i kemi porositur dhe që na kanë konfirmuar se janë gati për t’u nisur për në Kosovë. Ne nuk kemi mjete financiare për t’i paguar uniformat. Këto nuk janë telashet tona të vetme. Pra, nuk jemi mirë as sa i përket infrastrukturës. Jemi keq me infrastrukturë dhe nuk është punuar shumë nga askush”, ka thënë Kelmendi.
Telashet në skijim megjithatë janë dukshëm më të mëdha. Aktualisht përkrahja nga shteti kushtëzohet me licencim të federatës, që ajo e skijimit ka dështuar ta kompletojë.
Ankesa nga komuniteti i skijimit janë thuajse të zakonshme, si në shumicën e sporteve. Ndërsa ecja para jo aq e madhe.