Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka zhvilluar një takim me dekanin e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, Musa Selimi dhe drejtuesit e Federatës së Sporteve Universitare të Kosovës, me të cilët diskutoi për gjendjen e sportit në vend, sidomos për të rinjtë dhe studentët që merren me aktivitete sportive.
Ministri e njoftoi dekanin Selimi për punën dhe obligimet që ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka për fushat me të cilat merret ajo, e në këtë kuadër hyn edhe sporti si një prej dikastereve më të rëndësishëm, duke marrë parasysh rolin që ai ka në shoqëri.
Gashi u shpreh se MKRS-ja po punon vazhdimisht që të përmirësojë kushtet në sport, në investime kapitale por edhe përmes formave tjera të përkrahjes për federatat sportive dhe kjo përkrahje do të vazhdojë duke u rritur në vitin e ardhshëm.
Ndërsa, Selimi e njoftoi atë për angazhimet dhe punën që bën fakulteti në edukimin e sportistëve të rinj dhe nxjerrjen e talenteve. Njëherësh, ai e informoi ministrin për themelimin e Federatës së Sporteve Universitare të Kosovës (FSUK) në mars të këtij viti dhe pranimin e saj në muajin gusht në Federatën Ndërkombëtare të Sporteve Universitare (FISU).
Selimi u shpreh se duke qenë se aktivitetet sportive tek studentët në Kosovë nuk janë në nivelin e kënaqshëm, “e kemi marrë këtë iniciativë për themelimin e kësaj federate, e cila do të ndikojë në shtimin e aktiviteteve sportive në Kosovë dhe në masovizim”.
Edhe
MKRS licencon Federatën e Sporteve Universitare të Kosovës
Ai tha se deri më tani mbështetja për federatën ka munguar dhe pret që ministria ta përkrahë federatën në fjalë, për të cilin ministri Gashi e premtoi se nga viti 2018, FSUK-ja do të përkrahet si federatat tjera sportive dhe nga viti i ardhshëm sportet do të prioritetizohen në bazë të rezultateve dhe përkrahja për federatat do të bëhet sipas tyre.
Gashi po ashtu e informoi Selimin për hapat që do të ndërmerren së shpejti në plotësimin e akteve ligjore e nënligjore të cilat do të ndihmojnë dukshëm në përmirësimin e menaxhimit, rritjen e përkrahjes dhe cilësisë në sport, duke iniciuar ligjin për menaxhimin e objekteve dhe rregulloren për sponsorizime që derivon nga ligji për sponsorizime që tashmë është në fuqi, ku si ministri do të punojmë bashkë me partnerët dhe palët e interesit për të përmbushur këto synime.