Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Spezia barazon me Atalantan

Skuadra e Spezias gati ka shkaktuar befasinë më të madhe në kuadër të xhiros së 16 në Serie A. Kampionati italian rifilloi të mërkurën pas pushimit të Kupës së Botës “Katari 2022”. Në ndeshjen e parë të këtij viti, Spezia barazoi në shtëpi ndaj Atalantas, ndonëse ishte në epërsi deri në kohën shtesë.

Dueli i luajtur në “Stadio Alberto Picco”, përfundoi me shifrat 2:2. Në fakt, Spezia ishte në avantazh prej dy golave, të cilat i shënoi në pjesën e parë. Emmanuel Gyasi në minutën e tetë zhbllokoi rezultatin e ndeshjes, ndërsa epërsinë e dyfishoi M’bala Nzola në minutën e 31-të.

Megjithatë, Atalanta u kundërpërgjigj në 15-të minutat e fundit të takimit. Fillimisht, ngushtoi rezultatin në minutën e 77-të me Rasmus Hojlundin, përpara se ta sigurojë një pikë me golin e MArio Pashaliqit në minutën e tretë të kohës shtesë.

Me këtë barazim, Spezia ka tubuar 14 pikë dhe vazhdon luftën për mbijetesë në Serie A, ndërsa Atalanta me 28 pikë të mbledhura synon njërën prej pozitave që dërgon në Champions.