Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Skuadrat italiane janë gati për turneun e Superkupës në Arabinë Saudite

Interi, Napoli, Lazio dhe Fiorentina janë gati të “marrin paratë dhe të largohen” nga Arabia Saudite, me formatin e ri të Superkupës së Italisë i cili për disa tashmë e ka humbur rëndësinë. Turneu i ri me katër skuadra në Riad kopjon formatin spanjoll dhe sheh kampionin e Serisë A, Napoli, të luajë të enjten kundër finalistes së Kupës së Italisë, Fiorentinas. Ndërkohë fituesi i Kupës së Italisë, Interi, do të përballet me Lazion, nënkampionen e Serisë A, të premten. Të dyja ndeshjet nisin në orën 20:00.

Fituesit e të dy ndeshjeve gjysmëfinale do të takohen në finale të hënën mbrëma për trofeun e Superkupës, i cili është i pari për këtë edicion në futbollin e Italisë.

“Të gjithë e dinë se çfarë mendoj unë, se ky turne ka të bëjë me çdo gjë tjetër përveç sportit. Merr paratë dhe ikën. Ne marrim gjithçka që mundemi në këtë mënyrë për pak ditë, ndërsa duhet të shkojmë nëpër botë duke kërkuar para”, tha trajneri i Lazios, Maurizio Sarri. “Me të gjitha problemet që janë me orarin e ngjeshur të ndeshjeve, ne më pas krijuam edhe një Superkupë me katër ekipe. Nëse futbolli modern është ky lloj evolucioni, atëherë jam i lumtur që jam i modës së vjetër”.

Superkupa dikur ishte një ndeshje e vetme mes kampionit të Serie A dhe fituesit të Kupës së Italisë, si dhe mbahej pak para fillimit të edicionit të ri dhe tërhiqte vëmendje të madhe.

Ngritja e “perdes” së futbollit italian – ndeshja e Superkupës – tradicionalisht zhvillohej në stadiumin e kampionit të Italisë dhe ishte një ditë e këndshme për tifozët. Por për pjesën më të madhe të dekadës së kaluar Superkupa ka kaluar në sezonin e dimrit dhe është luajtur jashtë Italisë, duke gjeneruar para për futbollin italian, por duke injoruar kryesisht mbështetësit e skuadrave të përfshira.

Edhe Italianët luajnë për trofe në Arabinë Saudite Futboll Italianët luajnë për trofe në Arabinë Saudite

Këtë edicion është ndryshuar për të përfshirë nënkampionët nga liga dhe kupa italiane dhe do të luhet në kryeqytetin saudit – pak më shumë se një javë pasi turneu i Superkupës së Spanjës u mbajt në të njëjtin qytet.

“Sigurisht se kemi udhëtuar për t’u kthyer në qytetin tonë me trofeun e Superkupës. Nuk kemi treguar formë të mirë në ndeshjet e fundit, por fitorja ndaj Salernitanas ka ardhur në momentin e duhur”, ka thënë trajneri i Napolit, Walter Mazzarri. “Sa i përket këtij formati, kanë vendosur të tjerët dhe atë duhet të pyetën pasi nuk dua të futem në detaje”.

Fituesi i turneut të ri do të marrë tetë milionë euro, ndërsa pesë milionë do të shkojnë për nënkampionin. Dy skuadrat e tjera do të marrin nga 1.6 milionë euro.

Por të katër skuadrat kanë ambicie shumë më të mëdha këtë edicion dhe shumë ndeshje ende për të luajtur. Interi aktualisht kryeson në Seria A, por ka vetëm dy pikë më shumë se Juventusi dhe mund ta gjejë veten prapa ekipit nga Torino kur të kthehet nga Riadi, me “bianconerët” që luajnë dy ndeshje – me Leccen dhe Empolin – përpara se skuadra e Simone Inzaghit të rifillojë ndeshjet vendase.

Fiorentina, Lazio dhe Napoli gjithashtu po konkurrojnë për t'u kualifikuar në Ligën e Kampionëve edicionin e ardhshëm në një betejë gjithnjë e më të fortë për vendin e katërt në kampionat.

Të katër skuadrat janë gjithashtu të përfshira në garat evropiane. Lazio, Napoli dhe Interi kanë avancuar në fazën nokaut të Ligës së Kampionëve, ndërsa Fiorentina ka arritur të njëjtën fazë të Ligës së Konferencës. Pos kësaj, Lazio dhe Fiorentina janë në gjysmëfinale të Kupës së Italisë.

“Superkupa është një trofe që përdoret nga një trajner për të thënë se ka fituar diçka, nuk e ndihmon klubin të rritet”, tha Sarri. “Do të doja të fitoja diçka që ndihmon edhe klubin. Ne kemi udhëtuar 6000 kilometra, kështu që do të bëjmë më të mirën”.

Ndërsa Sarri nuk e pranon këtë turne dhe me skuadrat që janë të prira të mos i mbingarkojnë lojtarët e tyre, të tjerët i kanë më shumë sytë te çmimi. Fiorentina nuk ka fituar asnjë trofe për më shumë se dy dekada, qëkur fitoi Kupën e Italisë në vitin 2001.

Edhe Napoli mposht Milanin dhe kualifikohet në finale Futboll Napoli mposht Milanin dhe kualifikohet në finale

“Është emocionuese për të gjithë në ekipin tonë, pasi po luajmë për një trofe të rëndësishëm përkrah tri skuadrave të mëdha që janë mësuar më shumë me këtë lloj turneu”, tha trajneri i Fiorentinas, Vincenzo Italiano. “Lazio ka fituar shumë vitet e fundit, Interi gjithashtu, Napoli është kampion i Italisë, kështu që ne jemi vërtet të lumtur që marrin pjesë. Paraqitja jonë në Superkupë është krenari”.

Superkupa e Spanjës luhet si një ngjarje me katër skuadra në mes të edicionit në Arabinë Saudite që nga viti 2020, sistem të cilin prej këtij viti do ta aplikojë edhe Italia. Real Madrid mundi Barcelonën në finalen e turneut të Superkupës së Spanjës me rezultatin 4:1 në Riad të dielën.