Xhiroja e dytë në Serie A të Italisë do të nisë të shtunën dhe do të përfundojë të hënën. Të shtunën janë katër ndeshje, ndërsa me interesantja do të jetë ajo mes Milanit dhe Torinos.
Dueli në stadiumin “San Siro” nis në orën 20:45 dhe Milani synon fitoren e dytë pasi edicionin e nisi me triumf në udhëtim te Bologna. Për dallim prej Milanit, skuadra e Torinos ku aktivizohet Mërgim Vojvoda është në kërkim të fitores së parë këtë edicion.
Xhiron e shkuar Torino luajti pa gola në shtëpi kundër Cagliarit. Fitore të shtunën mbrëma do të synojë edhe Roma që është mysafire e Veronës. Ekipi i Jose Mourinhos javën e shkuar barazoi 2:2 në shtëpi kundër Salernitanas.
Krahas Milanit fitore në këtë xhiro pritet të shënojnë edhe Juventusi e Napoli, skuadra këto që luajnë të dielën. Juventusi prej orës 18:30 e pret Bolognan në Torino, ndërsa është i motivuar pas fitores bindëse 4:0 kundër Udineses në xhiron e parë.
Ndërkohë, Napoli e pret në shtëpi skuadrën e Sassuolos, ndeshje kjo që nis në orën 20:45. Kampioni në fuqi, edicionin e nisi me fitore 3:1 në udhëtim te Frosinone.
Xhiroja e dytë e kampionatit italian do të përfundojë të hënën mbrëma, me ndeshjen mes Cagliarit e Interit që luhet prej orës 20:45. Në të njëjtën ditë, por prej orës 18:30 do të përballen Salernitana me Udinesen.