Skuadra kineze e futbollit nga qyteti ku u shfaq fillimisht koronavirusi, më në fund po largohet nga Spanja dhe po kthehet në shtëpi. Në skuadrën e Wuhanit vlerësojnë se më rrezik është të qëndrojnë edhe më tutje në Spanjë se të kthehen në Kinë.
Skuadra e Wuhanit më 29 janar është vendosur në Spanjë, për shkak të kushteve më të mira atmosferike për stërvitje. Ndërkohë qyteti i Wuhanit u godit rëndë nga koronavirusi dhe u izolua plotësisht.
Përgjegjësit mjekësor u detyruan t’iu drejtohen banorëve lokalë në Spanjë për t’i qetësuar ata për praninë e lojtarëve kinezë në qytetin e tyre. Mjekët i bindën banorët lokalë se asnjëri nga lojtarët apo anëtarët e stafit nuk është i prekur nga koronavirusi.
Skuadra e drejtuar nga spanjolli Jose Gonzalez është dashur të qëndrojë në Spanjë deri më 14 shkurt, por ka vazhduar qëndrimin për shkak të gjendjes së rëndë në Kinë e sidomos në Wuhan.
Tani klubi ka njoftuar se po e lëshon Spanjën dhe se do të kthehet në shtëpi nesër, pas situatës së përmirësuar në Kinë dhe keqësimit të situatës në Spanjë.
Në Wuhan janë raportuar pesë raste të reja të koronavirusit të premten. Për të dytën ditë rresht numri i rasteve të reja ishte më i vogël se dhjetë.
Ndërkohë në Spanjë ka arritur në 87 numri i të vdekurve nga koronavirusi, ndërsa janë konfirmuar më tepër se 3000 raste me të infektuar.
Edhe
Njihuni me ekipin që e ka të ndaluar të kthehet në shtëpi për shkak të koronavirusit
“Problemi tani është këtu. Në Kinë praktikisht është çrrënjosur”, ka thënë menaxheri i Wuhanit.
“Është e vërtetë që problemi i koronavirusit ka ndikuar në tërë botën, por në Kinë situata është më e mirë. Në Evropë rastet po rriten shumë ndërsa në Wuhan më pak njerëz po sëmuren dhe ka fare pak raste të reja”, ka thënë lojtari i ri i Wuhanit, Daniel Carrico.
Futbollistët e Wuhanit janë larguar nga shtëpitë e tyre më 2 janar dhe kanë qëndruar për javë të tëra në Guangzhou të Kinës, para se të udhëtonin për në Spanjë, raporton Koha.net.