Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Skuadra e Shaqirit ofron stimulim financiar për tifozët që do të jenë në ndeshjen me Inter Miamin

Skuadra amerikane Chicago Fire, pjesë e së cilës është futbollisti shqiptar Xherdan Shaqiri, ka ofruar një stimulim financiar për tifozët që do ta përcjellin ndeshjen e sotme kundër Inter Miamit, raporton BBC. Këtë ndeshje mund ta humë ylli argjentinas i Inter Miamit, Lionel Messi, shkaku i lëndimit.

Chicago Fire ka shitur më tepër se 61 mijë bileta për ndeshjen që do të luhet në “Soldier Field”.

Messi, fitues i shtatëfishtë i “Topit të Artë”, ka munguar në tri ndeshjet e fundit shkaku i lëndimit.

Chicago Fire ka bërë të ditur se do t’u japë tifozëve pjesëmarrës 250 dollarë kredit drejt “anëtarësimit të ri për stinorin 2024” apo 50 dollarë kredit për “blerësit e biletave për një ndeshje”.

Klubi ka thënë se tifozët do të marrin këtë kredit “pavarësisht se cilët lojtarë do të jenë në gjendje të paraqiten në fushë”.

Edhe Shaqiri me të hyra të pabesueshme nga Chicago Fire Futboll Shaqiri me të hyra të pabesueshme nga Chicago Fire

“Kurrë nuk ka garanci se një sportist do të luajë apo jo, për shkak të faktorëve të ndryshëm. Ne e kuptojmë se shumë nga tifozët tanë mund të jenë të zhgënjyer nëse nuk e shohin atë (Lionel Messin) duke luajtur. E kuptojmë se do të ketë shumë që do të vinë për herë të parë në një ndeshje të Chicago Fire në ‘Soldier Fire’, dhe jemi të entuziazmuar t’i mirëpresim dhe t’u ofrojmë mundësinë që të bëhen tifozë afatgjatë, duke krijuar një atmosferë të shkëlqyer”, është thënë nga Chicago Fire.

Numri më i madh i tifozëve në stadiumin “Soldier Fire” në ndeshjet e Chicago Fire ishte 37 mijë e 122. Kjo tifozëri u regjistrua në vitin 1998 në ndeshjen kundër LA Galaxys, në stinorin debutues të Chicago Firet në ligën MLS.