Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Skitarët e Kosovës tregohen të suksesshëm në Kollashin

Skitarët e Kosovës kanë treguar paraqitje të mirë në garën që po mbahet në Kollashin të Malit të Zi, në disiplinën e sllallomit dhe sllallomit të madh.

Kiana Kryeziu e përfundoi garën e katërta prej 17 garuesve me kohë prej dy minuta e dy sekonda. Ajo fitoi edhe 148.61 pikë të Federatës Ndërkombëtare të Skitarisë dhe njëherësh përmbushi një nga pesë kriteret e nevojshme për normë olimpike për Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”.

Por, për ta fituar normën, Kryeziut i duhen edhe katër rezultate të tilla në sllallom të madh. Ajo do ta ketë edhe një garë tjetër të enjten. Në këtë konkurrencë, Arba Pupovci, doli e dhjeta.

Sukses arriti edhe Arbi Pupovci, i cili kompletoi kriteret për normën olimpike edhe në sllallom të madh. Ai zuri vendin e nëntë nga 33 garues, konkurrenca e meshkujve, duke mbledhur 114.08 pikë të FIS-it. Koha e tij ishte 1 minutë, 54 sekonda e 84 të qindtat. Arbi normën e ka edhe në disiplinën e sllallomit.

Ndërkohë, Drin Kokaj ka përmbushur kriterin e parë për normë olimpike edhe në sllallom të madh, duke mbledhur 148.80 pikë. Ai doli i 12-ti me kohë një minutë, 58 sekonda e 64 të qindtat. Gara për normën olimpike Pekini 2022 mbyllet më 16 janar 2022, ndërsa përzgjedhësi i Kosovës, Agim Pupovci, deklaroi për KOK-un se rezultatet e sotme, janë fryt i përgatitjeve dhe punës intensive të bërë gjatë vitit 2021 me garuesit. Ai pret që edhe të enjten, në garën e fundit për këtë vit, të përsëritet suksesi i së mërkurës.