Sulmuesi i Dritës, Marko Simonovski është shpallur futbollisti më i mirë i xhiros së shtatë në Superligën e Kosovës në futboll.
Ai të premten e ka pranuar çmimin “Ylli i Javës” që ndahet nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK).
Simonovski shkëlqeu në xhiron e shtatë, pasi shënoi “hat-trick” në fitoren e Dritës 4:1 në derbin ndaj skuadrës së Gjilanit.
Në fakt, ky edhe ishte “hat-tricku” i parë në historinë e këtij derbi të madh të futbollit kosovar.
“Ky çmim për mua do të thotë shumë. Shpresoj që këtë edicion do të kthehem shumë herë për ta marrë çmimin e më të mirrit të javës”, tha Simonovski pasi pranoi çmimin “Ylli i Javës”.
Deri më tani, Simonovski ka shënuar gjashtë gola në po aq ndeshje të luajtura në Superligën e Kosovës.