Skuadra e Sigal Prishtinës i ka dhënë fund serisë prej tri humbjeve rresht, për ta nisur vitin me fitore në Superligën e Kosovës në basketboll. Prishtina, të mërkurën në palestrën “Shani Nushi” të Gjakovës, triumfoi ndaj skuadrës së Vëllaznimit.
Ndeshja që i takoi xhiros së 13-të, përfundoi me rezultatin 69:62 në të mirë të ekipit mysafir. Me këtë fitore, Prishtina ngritët në kuotën e 17 pikëve, sa i ka edhe Vëllaznimi që regjistroi humbjen e dytë rresht.
Daniel Lekndreaj me 22 pikë të shënuara ishte më i dalluari te Prishtina derisa me lojë të mirë, u veçuan edhe Edmond Azemi (14), Don Polloshka (13) e Muhamedali Janjeva (11). Ndërkohë, te Vëllaznimi vetëm tre basketbollistë ishin më të dalluarit që regjistruan “double-double”. Më efikasi ishte Cendrik Council me 23 pikë e 11 kërcime, i përcjellë nga Devonte Jackson (15 pikë, 10 kërcime) dhe Christopher Hortman (14 pikë, 15 kërcime).