Ligat më të larta të futbollit të Suedisë nënshkruan një peticion proteste të organizatës “Amnesty International” të enjten, që i jep “një karton të kuq FIFA-s” dhe kërkon që organi qeverisës i futbollit të ngrihet për të drejtat e punëtorëve emigrantë në Katar gjatë Kupës së Botës vitin e ardhshëm. Katari është përballur me kritika mes raporteve për ligje dhe kushte diskriminuese për punëtorët emigrantë, të cilën po e përgatisin vendin për turneun e madh të futbollit. Përfaqësuesja e Suedisë nuk është kualifikuar ende për këtë ngjarje, por një gjë të tillë mund ta bëjë në muajin mars të vitit të ardhshëm nëpërmjet plejofit.
“Ne nuk mund të kemi ndikim më se ku do të luhet Kampionati Botëror, por mund të bëjmë presion dhe t'i tregojmë FIFA-s se mendojmë se vendimi ishte i papranueshëm që në momentin kur u mor dhe se FIFA duhet të marrë më shumë përgjegjësi për punëtorët emigrantë”, tha Jens Andersson, kryetar i Ligave Suedeze të Futbollit Profesional.
Grupi përfaqëson 32 klubet e futbollit të meshkujve në dy divizionet kryesore të vendit skandinav.
“Ne mendojmë se kritika e mësipërme është e rëndësishme për t'u paraqitur dhe për ta theksuar rëndësinë e punës së lobit të shoqatës suedeze të futbollit në Katar”, tha Andersson.
Anna Johansson, kreu i zyrës suedez të “Amnesty”, tha në të njëjtën deklaratë se “punëtorët emigrantë janë të domosdoshëm për organizimin e Kupës së Botës të vitit 2022, por kjo nuk duhet të ndodhë në kurriz të jetës së tyre dhe të drejtave të njeriut”.
Kjo kritikë e klubeve suedeze ka ardhur një ditë pas asaj te Federatës së Futbollit të Danimarkës (DBU). Përfaqësuesja e Danimarkës në futboll do të ketë “mesazhe për të drejtat e njeriut” në uniformat stërvitore vitin e ardhshëm në Kampionatin Botëror të Katarit. Danimarka e ka siguruar kualifikimin direkt në këtë ngjarje muajin e shkuar, ndërsa federata daneze ka thënë se tashmë ka bërë gati një seri të “kampanjave kritikuese” për vendin mikpritës të Kampionatit Botëror. Katari është përballur me kritika të mëdha pas raportimeve për diskriminimin dhe kushtet e këqija të punëtorëve emigrantë, të cilët janë angazhuar që vendi të jetë plotësisht i gatshëm për vitin tjetër. Sipas federatës daneze, dy prej sponsorëve të uniformave stërvitore do të largohen dhe në vend të tyre do të shtypen “mesazhe kritikuese për Katarin”. Gjithashtu, federata ka thënë se do të minimizojë numrin e udhëtimeve në Katar për stafin dhe partnerët, kështu që “pjesëmarrja në Kampionatin Botëror kryesisht është pjesëmarrje sportive dhe jo promovim i ngjarjeve të organizatorit të kësaj ngjarjeje”.
Edhe
Parlamenti Evropian kërkon ndihmë për familjet e punëtorëve të vdekur në Katar
“DBU-ja ka kohë që ketë qenë kritikuese e fortë e Kampionatit Botëror në Katar, por tani ne po i intensifikojmë tentimet tona dhe dialogun po e bëjmë edhe më kritik. Ne po e shfrytëzojmë avantazhin e faktit që jemi të kualifikuar që Katari të punojë më shumë për ndryshime në vend”, ka thënë drejtori i Federatës së Futbollit të Danimarkës (DBU), Jacob Jensen.
Federata shtoi se “do të kryejë vazhdimisht kujdesin e duhur” për zgjedhjen e hotelit dhe shërbimeve të tjera në Katar për të parë që të drejtat e punës respektohen. Gjithashtu, paralajmëroi se do ta shqyrtojë mundësinë e nismave të reja për t’i përmirësuar kushtet në Katar. Në vitin 2010, Katari e fitoi të drejtën për organizimin e Kampionatit Botëror në një votim të diskutueshëm që ndezi hetime për korrupsion në të gjithë procesin e tenderimit. Nuk u gjetën prova nga FIFA për të garantuar heqjen e Katarit nga e drejta e pritjes së kësaj ngjarjeje. Katari ka shpenzuar dhjetëra miliarda dollarë për të ndërtuar hotele, një sistem të ri transporti dhe stadiume luksoze për të përballuar organizimin e ngjarjes së futbollit.