Elina Tzengko është kampione evropiane në hedhje të shtizës. Tzengko të artën e fitoi të shtunën mbrëma në Kampionatin Evropian të atletikës në Munih të Gjermanisë.
Tzengko është vetëm 19-vjeçare. Titullin evropian e ka fituar për Greqinë. Është e lindur në Nea Kallikrateia të Greqisë. Por është shqiptare. Në rrethana të tjera, ajo do të mund të njihej si Elina Zhengo. Por njihet si Elina Tzengko dhe garon për Greqinë. Tashmë i ka sjellë medalje me shumë vlerë Greqisë e shumë të tjera priten prej saj në të ardhmen.
Ndonëse po nderon Greqinë dhe po i bën krenarë grekët, atletja shumë e talentuar nuk është trajtuar si duhet nga shteti grek. Ishte e diskriminuar në fakt.
E lindur në Greqi nga prindër shqiptarë, Elina vetëm në vitin 2018 u pajis me pasaportë të Greqisë. Deri atëherë grekët nuk i kishin dhënë pasaportën. Dhe për këtë sportistja e talentuar ishte ndier keq.
Se është shqiptare, Elina e ka konfirmuar në një shkrim të saj që u publikua nga sajti “athletestories.gr” më 21 shtator të vitit 2021.
“Në fillim gjërat nuk ishin të lehta. Sidomos për prindërit e mi që u larguan nga Shqipëria në të 90-at, gjatë krizës së madhe në vend, në kërkim për një të ardhme më të mirë. Babai u largua i pari kur nëna ime ishte shtatzënë me motrën time më të madhe. Ai erdhi në këmbë nga Shqipëria në Halkidiki dhe më pas gjeti punë si ndërtimtar. Nëna erdhi pas tij. Përshtatja e tyre në Greqi nuk ishte e lehtë. Ata i lanë vendet e punës (babai im ishte polic, nëna ishte mësuese), nuk e kanë njohur askënd, nuk e kanë folur gjuhën. Kur u lind motra ime, ata jetuan në një dhomë me vetëm gjërat më elementare. Një dyshek, një tavolinë, disa enë. Por nuk janë ankuar kurrë”, kishte treguar Elina Tzengko, tani kampione evropiane në hedhje të shtizës.
Prindërit e saj gradualisht u përshtatën në Greqi dhe filluan jetë të qetë. Deri atëherë kur kriza ekonomike goditi rëndë Greqinë. Nëna e atletes vendosi të punojë për ta ndihmuar babanë. Punonte si pastruese e shtëpive.
Elina është falënderuese për prindërit e saj. Thotë se karakterin e ka prej tyre. Ajo si fëmijë po shndërrohej në sportiste cilësore, por kjo nuk i ndihmonte që ta merrte pasaportën e Greqisë.
“Problemi i vetëm që kishim, që ka ndikuar në jetën tonë, ishte ai i shtetësisë. Ndonëse të tri vajzat jemi të lindura në Greqi, kemi vuajtur, sidomos psikologjikisht, derisa kemi marrë letrat. Unë i kam marrë ato në vitin 2018. Motra e madhe ka vuajtur për shumë vjet. Aq shumë, sa që për shkak të situatës, ka hequr dorë nga sporti. Ishte hedhëse e gjyles. Në vitin 2018 unë vendosa rekord të Greqisë, por u bllokova në situatë të njëjtë. Nuk mund të merrja pjesë në ngjarjet jashtë Greqisë pasi nuk kisha shtetësi. Çdo ditë kam qarë dhe isha e dëshpëruar. Prindërit më dëgjonin me kujdes kur ankohesha. Ishte e vështirë edhe për ata. Tani më vjen keq që e kam bërë jetën e tyre aq të vështirë. Nuk kishte ndjenjë më të keqe se ajo që ndjeja. Të jesh e lindur në Greqi, të rritesh në Greqi dhe të ndihesh si e huaj. Po, prindërit e mi janë nga Shqipëria. Nuk do ta mohoj këtë, apo të turpërohem që ta them. Nuk do ta fsheh, po ndihem, po ashtu, shqiptare. Por jam e lindur në Greqi. Dhe e dua Greqinë. Pas shumë përpjekjeve, më 22 qershor të vitit 2018, më në fund mora shtetësinë greke”, ka shkruar Elina Tzengko.
Elina të shtunën mbrëma fitoi medaljen e artë evropiane me hedhjen më të mirë të shtizës prej 65.81 metra. Ishte hedhja e dytë e saj. Në tentimin e parë shtizën e dërgoi 60.82 metra larg. Tentimin e tretë e kishte të pasuksesshëm, ndërsa në tentimin e katërt nuk arriti distancën prej 60 metrash. Edhe në tentimin e pestë ishte e pasuksesshme, ndërsa në tentimin e gjashtë dhe të fundit kishte rezultat prej 65.57 metrash.
Atletja shqiptare që përfaqëson Greqinë ka fituar para atletes, Adriana Vilagosh, që përfaqëson Serbinë. Vilagosh hedhjen më të mirë e kishte 62.01 metra. E treta ishte Barbora Shpotakova e Çekisë me hedhjen më të mirë prej 60.68 metrash.
“Me 19 vjet e 352 ditë, Tzengko bëhet më e reja që fiton këtë titull në Kampionat Evropian”, ka shkruar Federata Evropiane.
Elina ka shumë suksese tashmë. Në vitin 2018 fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike për të rinj. Në vitin 2021 fitoi të artën në Ballkanik dhe në Evropianin U20. Në Botërorin U20 u rendit e dyta. Tani ka titull evropian për të rritura, ndërsa vlerësohet shpresë e madhe për medalje olimpike. Fatkeqësisht jo për Shqipërinë.