Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Shqipëria pëson edhe humbjen e dytë në parakualifikime për “Eurobasket 2025”

Përfaqësuesja e Shqipërisë në basketboll ka pësuar edhe humbjen e dytë në po aq ndeshje të luajtura në kuadër të rundit të tretë parakualifikues për “Eurobasket 2025”.

Pasi u mposht nga Rumania në ndeshjen e parë, Shqipëria pësoi disfatë edhe në duelin e dytë që e luajti në udhëtim te Sllovakia në kuadër të Grupit I. Sllovakët triumfuan me shifrat 86:63 për ta shënuar fitoren e dytë dhe për ti prirë grupit me 4 pikë të mbledhura.

Sllovakia ishte më e mirë se Shqipëria, e cila fitoi vetëm çerekun e fundit (23:21), por që nuk bëri ndonjë dallim të madh. Diferenca në këtë ndeshje u bë në çerekun e tretë, në të cilin Sllovakia shënoi 19 pikë karshi vetëm 3 pikëve të realizuara nga Shqipëria.

Elvis Dusha ishte më i dalluari te Shqipëria me 19 pikë, i përcjell nga Daniel Lekndrejaj (13) e Endrit Hysenagolli (10). Te Sllovakia, katër lojtarë e mbyllën ndeshjen më pikë dyshifrore, ndërsa më efikasi ishte Vladimir Brodziansky me 19 pikë të shënuara.

Jakub Moran pati 17 pikë e 9 kërcime, ndërsa Matej Majercak shtoi 13 pikë për këtë fitore të thellë të Sllovakisë.