Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Shqipëria nderon Alvin Karaqin me medaljen “Ylli i Mirënjohjes Publike”

Karateisti nga Kosova, Alvin Karaqi, është nderuar me medaljen “Ylli i Mirënjohjes Publike”. Ceremonia u organizua të martën, ndërsa medaljen “Ylli i Mirënjohjes Publike” Karaqit ia dorëzoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Karaqi u vlerësua për medaljen e artë të fituar në Lojërat Evropiane të mbajtura në qershor të këtij viti në Poloni. Ai bëri të mundur që flamuri shqiptar të ngrihet lart. Mundësoi që të intonohet për herë të parë himni shqiptar në ngjarjen e madhe sportive të kontinentit. Karaqi ka disa vjet që garon për Shqipërinë. Në ceremoninë e zhvilluar në Sallën e Hartave në Tiranë, kryeministri Rama pati fjalë të mëdha për Karaqin. Ai tha se Alvini është pjesë e rëndësishme e Shqipërisë.

“Ne i bëjmë këto ceremoni për t’ju shprehur mirënjohjen kampionëve, por edhe për t’iu dhënë mundësinë të gjithë të tjerëve të marrin sadopak nga energjia e tyre pozitive, të marrin sadopak nga shembulli i tyre, të marrin sadopak nga forca e tyre e besimit, e vullnetit, e gatishmërisë për të tejkaluar çdo vështirësi, sepse deri tek momenti kur ngrihet flamuri dhe këndohet himni nuk është thjeshtë ajo që ne të tjerët shohim në zhvillimin e një kompeticioni, por është një histori e tërë që askush nuk e sheh përveç atij që e bën, që fillon që nga zgjimet pa u gdhirë dhe mbaron çdo darkë me gatishmërinë për t’u zgjuar përsëri pa u gdhirë”, ka thënë Rama.

Kryeministri Rama në fjalimin e tij të gjatë tregoi se Alvini fle rreth katër orë, ndërsa zgjohet duke menduar të jetë i suksesshëm si në sport ashtu edhe në profesionin e mjekut. Karaqi ishte për disa vjet te Kosova, por nuk u trajtua mirë dhe u kthye te Shqipëria. Aktualisht jeton në Zvicër, ku punon si mjek.

“Unë jam shumë i privilegjuar dhe me fat që sot për shkak të detyrës jam këtu në këtë podium për t’i shprehur Alvinit dhe familjes së tij mirënjohjen, respektin dhe patjetër gatishmërinë tonë për të ndihmuar me aq sa ne mund të ndihmojmë, jo vetëm Alvinin, por të gjithë sportistët tanë për të cilët nuk besoj se e ekzagjeroj po të them se janë sot në kushte krejt të reja falë edhe bashkëpunimit të ngushtë me Komitetin Olimpik Shqiptar dhe pa diskutim sot mund ta themi me plot gojën që Shqipëria e vogël, që nuk është ndër vendet e pasura, iu ofron kampionëve dhe atyre që janë të gatshëm të sakrifikojnë për t’u bërë kampionë, një mbështetje që pak vende e kanë të them të drejtën, sidomos në këto sporte që nuk hyjnë në industritë e mëdha të sportit, siç është futbolli”, është shprehur Rama.

Fjalimin e gjatë Rama e mbylli duke falënderuar karateistin Karaqi për përfaqësimin e denjë që ia bën Shqipërisë në ngjarje globale.

Edhe E detyruan të largohej nga Kosova, Alvin Karaqi me përgjigje të veçantë Sport E detyruan të largohej nga Kosova, Alvin Karaqi me përgjigje të veçantë

“Në mbyllje i dashur Alvin, unë dua të të them që prania jote sot është shumë e rëndësishme për ne këtu. Është po aq e rëndësishme sa prania e një presidenti apo një kryeministri që vjen të na vizitojë nga cilido vend i Evropës. Ti je shëmbëlltyra e flamurit tonë kombëtar dhe me gjithë zemër unë të uroj shëndet në radhë të parë, sepse kjo është e padiskutueshme si kusht që ti të vazhdosh të stërvitesh dhe të arrish sukses. Të uroj të vazhdosh të jesh ky që je, të uroj që të jesh i rrethuar nga dashuria dhe nga respekti i të gjithëve, e mbi të gjitha që familja juaj të jetë e lumtur edhe të ketë sa më shumë arsye për të qeshur e për të gëzuar”, është shprehur Rama.

Karaqi është prej karateistëve më të mirë shqiptarë në histori. Në shumë raste u ishte afruar medaljeve të mëdha.

Karaqi vlerësoi nderin që po ia bën Shqipëria. Ai u shfaq i emocionuar dhe i përlotur gjatë fjalimit të tij. Ndërsa shtoi se shpreson të jetë shembull edhe për sportistët e tjerë, në veçanti karateistët e Shqipërisë ta përjetojnë një ndjenjë të tillë nderimi.

“Medaljen e kam fituar unë, por suksesi është kolektiv. Duhet t’u falënderohem të gjithëve për këtë medalje të fituar. Për mua dita kur kam defiluar në hapje me flamur ka qenë fitorja më e madhe për mua, sepse si bajraktar ndihesha si Skënderbe. Kjo medalje po të ishte picë, do ta ndaja me të gjithë por po e marrë me vete edhe pse të gjithë iu kam në zemër. Jam krenar që e përfaqësoj Shqipërinë për kushtet dhe ndjenjën që ta ofron ky vend. Nuk mund ta përshkruaj entuziazmin e medaljes, ndërsa tani po e ndiej shumë. Nuk e kam zakon për të folur shumë, kështu që falënderoj të gjithë për përkrahjen dhe më falni për emocionet, por nuk e kam dy herë këtë. Uroj të gjithë sportistët, sidomos ekipit të karatesë, ta përjetojnë këtë ndjenjë dhe unë të jem arsyeja për këtë”, ka thënë Karaqi.

Edhe Dy momentet madhështore në karrierën e Alvin Karaqit Sport Dy momentet madhështore në karrierën e Alvin Karaqit

Shqipëria më herët ka nderuar në mënyra të ndryshme edhe xhudistet, kampionet olimpike të Kosovës, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova.

https://fb.watch/o13OP0RMzD/