Përzgjedhësi i Shqipërisë, Edoardo Reja, dhe kapiteni i “kuqezinjve”, Etrit Berisha, e kanë vlerësuar lart kundërshtarin e radhës në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katari 2022”. Megjithatë, të shtunën në konferencën për shtyp të mbajtur një ditë para ndeshjes me Hungarinë, përzgjedhësi Reja dhe kapiteni Berisha kanë thënë se me ndihmën e tifozëve mund t’ia dalin dhe të korrin suksesin që nuk e patën në duelin e kaluar. Të dielën në orën 18:00, në stadiumin “Elbasan Arena”, Shqipëria do të jetë nikoqire e Hungarisë në kuadër të Grupit I kualifikues. Shqipëria, aktualisht, zë pozitën e katërt në grup me gjashtë pikë nga katër ndeshje. E ka vetëm një më pak se Hungaria dhe Polonia, dhe gjashtë më pak se Anglia lidere.
Por, “kuqezinjtë” synojnë që me ndihmën e tifozëve ta mposhtin Hungarinë në stadiumin ku nuk kanë pësuar disfatë në shtatë ndeshjet e fundit. Kanë pesë fitore e dy barazime në të gjitha garat. Në stadiumin “Elbasan Arena” në Elbasan, Shqipëria do ta ketë ndihmën e tifozëve, pasi 30 për qind e kapacitetit do të lejohet të ketë mbështetës. Fokusi do të jetë vetëm në marrjen e pikëve të plota. Sipas italianit Reja, ky ballafaqim mund të vlerësohet si vendimtar për të dy skuadrat, për të mbetur me shpresën për ta zënë vendin e dytë në grup. Shqipëria në këtë duel futet pas humbjes së thellë që e pësoi 4:1 në udhëtim te Polonia.
“Kemi një ndeshje për ta përmirësuar rezultatin e padrejtë që e patëm në Poloni. Pres ndeshje të mirë nga skuadra ndaj Hungarisë. Duhet të bëjmë paraqitje ashtu siç bëmë në Poloni. Nëse e shikojmë rezultatin 4:1 duket sikur na kanë masakruar, por në fakt nuk ishte ashtu. Skuadra bëri paraqitje të mirë. Po atë frymë dëshiroj ta shoh edhe të dielën”, tha fillimisht Reja.
Shqipëria në këtë duel do të ketë mungesa. Elseid Hysaj, Rey Manaj dhe Keidi Bare janë të suspenduar për këtë ndeshje. Sidoqoftë, tekniku italian do ta ketë në përbërje Nedim Bajramin që e mori dritën e gjelbër për ta përfaqësuar Shqipërinë. Bajrami pritet të jetë titullar te Shqipëria ndaj Hungarisë.
“Mendoj se do të jetë moduli i njëjtë si me Poloninë. Do të shoh si do të shkojnë gjërat me Bajramin, i cili sapo ka ardhur në skuadër dhe po kalon formë shumë të mirë. Gjithsesi, duhet të bëj edhe unë analizat e mia për aspektin taktik dhe të shohim nëse mund ta përfshijmë në ndeshje. Është lojtar me shumë vlera, por kam edhe shumë lojtarë po aq të mirë, pavarësisht mungesave”, theksoi Reja.
Edhe kapiteni i “kuqezinjve”, Etrit Berisha, theksoi se ndeshja e së dielës është e rëndësishme për të dy ekipet. Portieri i Torinos, nënvizoi se e rëndësishme është që Shqipëria ka filluar të ketë rritje si skuadër duke treguar personalitet në çdo ndeshje. Si Reja, ashtu edhe Berisha, janë shprehur të lumtur për rikthimin e tifozëve në stadiume.
Edhe
Shqipëria kërkon suksesin ndaj Hungarisë për të vazhduar ta ëndërrojë Botërorin
“Është një ndeshje shumë e rëndësishme për të dyja palët. Edhe ndeshja ndaj Polonisë ishte shumë e rëndësishme, por prapë se prapë mendoj se ne kemi rast me Hungarinë. Nëse fitojmë, mund të vazhdojmë ëndrrën tonë. Kjo është vendimtare për të gjitha skuadrat, për ne, Hungarinë dhe Poloninë”, shtoi Berisha.
Ky ballafaqim i gjen skuadrat me një rekord negativ. Që të dyja pësuan të enjten mbrëma humbjet më të thella që prej tetorit të vitit 2019. Përderisa Shqipëria pësoi në Varshavë nga Polonia (4:1), Hungaria u mposht në Budapest 4:0 nga Përfaqësuesja e Anglisë. Ky do të jetë takimi i shtatë ndërmjet Shqipërisë dhe Hungarisë. Në gjashtë përballjet e kaluara, Hungaria ka fituar pesë takime, ndërsa një tjetër është mbyllur baras. Hungaria u paraqit në “Euro 2020” por u eliminua në fazën e grupeve. Tri ditë pas ballafaqimit me Hungarinë, Shqipëria do të takohet me San Marinon, kundërshtar dukshëm më i lehtë. Edhe kjo ndeshje do të zhvillohet në “Elbasan Arena”. Ciklin eliminator të Botërorit “Katari 2022”, Shqipëria e nisi me fitore ndaj Andorrës, humbi nga Anglia dhe e mposhti San Marinon. Që të dyja këto fitore erdhën në udhëtim. Duelin e katërt e humbi nga Polonia.