Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Shqipëria fiton titull evropian në peshëngritje

Organizimi i Kampionatit Evropian të peshëngritjes në Tiranë po del të jetë i suksesshëm për peshëngritjen shqiptare. Me të nisur Evropiani, Shqipëria ka fituar titull kontinental.

Është Evangjelia Veli që të dielën e siguroi medaljen e artë evropiane. Ajo u shpall kampione evropiane në kategorinë deri 55 kilogramë.

Ajo fillimisht shkëlqeu në stilin e shkëputjes, ku arriti të ngrejë peshë prej 95 kilogramë. I takoi e arta në këtë disiplinë. Ndërkohë në stilin e shtytjes, Veli po ashtu kishte tri tentime të suksesshme. Arriti peshë prej 113 kilogramë, sa ngriti edhe Kamila Konotop e Ukrainës. Por për shkak të peshës më të lehtë trupore, Konotop ishte e para ndërsa Veli e dyta. Me totalin prej 208 kilogramë peshëngritëse shqiptare i takoi medalja e artë në total. Konotop fitoi medaljen e argjendtë me 207 kilogramë, ndërsa Nina Sterckx e Belgjikës fitoi të bronztëm me 205 kilogramë.

Peshëngritësen shqiptare e ka uruar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe figura tjera politike e sportive.

Të tjera medalje priten nga peshëngritësit shqiptarë, që sa u takon rezultateve janë bindshëm sportistët më të mirë në vend. Shqipëria ka paraqitur plot 12 garues për Evropianin e peshëngritjes.

Gjithsej marrin pjesë 289 garues nga 39 shtete të ndryshme të kontinentit. Briken Calja mbetet shpresë e madhe për medalje tjetër evropiane.

Edhe Shqipëria fiton medalje në Evropianin e mundjes dhe atë të peshëngritjes, Kosova larg Sporte të tjera Shqipëria fiton medalje në Evropianin e mundjes dhe atë të peshëngritjes, Kosova larg

Evangjelia Veli është peshëngritëse 30-vjeçare nga Fieri. Ajo ka garuar edhe në Lojërat Olimpike në Rio në vitin 2016. Kishte përfunduar e teta. Ka garuar edhe në shumë kampionate evropiane, por suksesin më të madh e ka arritur në Tiranë.

Evropiani në Tiranë është jubilar. Ngjarja mbahet për herë të 100-të, si thuajse në asnjë sport tjetër.