Sport

Shënimet për tri pikë kanë pushtuar NBA-në, lojtarët me shifra të jashtëzakonshme

Giannis Antetokounmpo vendosi standard të lartë në karrierë me 55 pikë, të martën e kaluar, në fitoren e Milwaukeet ndaj Washingtonit. Dhe nuk ishte as performanca më e mirë e javës në divizionin qendror të NBA-së.

Paraqitja më e mirë i takonte Donovan Mitchellit të Clevelandit, me një shifër marramendëse prej 71 pikëve, një natë më parë. NBA-ja javët e fundit ka ofruar pothuajse çdo natë paraqitje të një niveli të lartë, ku janë shquar koshashënuesit më të mirë të lojës së basketbollit. Bëri bujë paraqitja e jashtëzakonshme e Mitchellit për Clevelandin ose Luka Donçiqit për Dallasin, që arriti shifrën e 50 pikëve tri herë brenda nëntë ditësh.

“Unë mendoj se ka shumë gjëra që ndikojnë në këto shifra. Thjesht i shihni natë pas nate lojtarët që po aplikojnë ndeshje sulmuese dhe për këtë arsye nuk është për t’u habitur”, tha trajneri i Washingtonit, Wes Unseld. “Është kënaqësi të shikosh si tifoz, sigurisht. Por, është frustruese kur përpiqesh të planifikosh lojën për të ndaluar disa prej këtyre djemve, sepse ata po shënojnë nga të gjitha anët, sidomos nga tentimet për tri pikë”.

Dhjetë lojtarë të ndryshëm tashmë kanë shënuar të paktën 50 pikë në ndeshje gjatë këtij sezoni: Antetokounmpo, Mitchell, Donçiq, Joel Embiid, Devin Booker, Anthony Davis, Klay Thompson, Pascal Siakam, Darius Garland dhe Stephen Curry.

Para edicionit 2016/17, jo më shumë se tetë lojtarë të ndryshëm kishin pasur ndonjëherë 50 pikë në ndeshje brenda një kampionati. Që atëherë, të paktën 10 e kanë bërë këtë çdo sezon, duke përfshirë një rekord prej 14 lojtarësh me 50 apo më shumë pikë në një ndeshje në edicionin 2021/22.

Një pjesë e kësaj është dëshmi se NBA-ja po përjeton epokën e ndeshjeve ku po shënohen shumë pikë. Ekipet e NBA-së kishin mesatarisht 113.8 pikë për ndeshje deri para të hënës dhe nëse vazhdohet me këtë ritëm atëherë kjo do të jetë shifra më e lartë që nga sezoni 1969/70. Atë sezon skuadrat kishin mesatarisht 116.7 pikë, por vetëm dy lojtarë kishin të paktën 50 pikë në ndeshje.

Pra nuk ka të bëjë vetëm me rezultate të larta. Tani lojtarët kryesorë po prodhojnë paraqitje të mira dhe efikasitet të lartë. Pothuajse secili prej tyre ka shumë tentime për tri pikë dhe kjo nuk ka ndodhur në të kaluarën. Pra, lojtarët janë fokusuar në gjuajtjet nga distanca dhe po tregohen tejet efikas.

“Lojtarët tani po gjuajnë nga distanca dhe saktësia po i inkurajon ata që të vazhdojnë me tentime. Pra, sa më shumë trepikësha, aq më shumë pikë të shënuara për ndeshje. Ata me trepikësha mund të shkojnë në shifrat që po i kanë kohët e fundit”, pranoi trajneri i Los Angeles Clippers, Tyronn Lue. “Lojtarët që janë të saktë nga distanca i shkaktojnë probleme çdo ekipi. Si kundërshtar i lejon ata të provojnë, pasi fokusohesh te të tjerët, por ata vazhdimisht të ndëshkojnë”.

Kur Bernard King kishte shënuar 60 pikë në një ndeshje të NBA-së në vitin 1984, ai nuk e kishte pasur asnjë tentim për tri pikë. Madje, as Antetokounmpo nuk e pati asnjë kur shënoi 55 pikë, por Mitchell prej 15 tentimeve realizoi shtatë herë për të arritur shifrën e 71 pikëve në ndeshje.

“Mendoj se vija e trepikëshit përfundimisht e ka ndryshuar lojën dhe po tregohet shumë efektive për lojtarët që po arrijnë shifra të jashtëzakonshme këtë sezon. Personalisht pres që ky trend të vazhdojë pasi po i shoh lojtarët që vazhdimisht po gjuajnë”, pranoi trajneri Memphisit, Taylor Jenkins.