Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Shaqiri nuk po mendon ende për Serbinë, i fokusuar te ndeshja me Brazilin

Zvicra të hënën mbrëma (17:00) luan me Brazilin. Më pas më 2 dhjetor luan me Serbinë. Tashmë diskutohet shumë për ndeshjen e Zvicrës me Serbinë, por Xherdan Shaqiri thotë se në përfaqësuese janë të fokusuar vetëm te ndeshja me Brazilin. Më pas do të merren me ndeshjen me Serbinë.

Shaqiri të dielën pasdite foli në konferencë për shtyp përkrah përzgjedhësit Murat Yakin.

Katër vjet më parë në Rusi, Zvicra kishte luajtur 1:1 me Brazilin e më pas kishte fituar 2:1 ndaj Serbisë me golat e Granit Xhakës e Xherdan Shaqirit.

Gjithë shqiptarët shpresojnë për një skenar të tillë edhe në Katar.

“Ne i përcjellim të gjithë kundërshtarët në grup dhe po ashtu shikojmë ndeshjet. Por ndeshjet i marrim një nga një dhe ne nuk po mendojmë për ndeshjen me Serbinë ende. Pas ndeshjes me Brazilin do të shohim. Por një rezultat pozitiv nesër do të ishte një hap i mirë”, ka thënë Shaqiri.

Edhe Shaqiri stërvitet me Zvicrën, gati për Serbinë Sport Shaqiri stërvitet me Zvicrën, gati për Serbinë

Në xhiron e parë, Zvicra fitoi 1:0 ndaj Kamerunit, kurse Brazili “shkeli” Serbinë për ta mposhtur vetëm 2:0 në fund. Të hënën është edhe ndeshja Kameruni – Serbia.

Shaqiri në konferencë është pyetur edhe për prejardhjen nga shumë vende të lojtarëve të Zvicrës.

“Ne kemi shumë lojtarë me prejardhje nga vende tjera. Në fund ne të gjithë luajmë për vendin tonë dhe duam ta prezantojmë në mënyrën më të mirë. Unë e shijoj secilën ndeshje që e luaj për ekipin nacional. Është shumë mirë dhe e veçantë që ne si vend i vogël, me kaq shumë kultura, mund të ndërtojmë kaq ekip të fortë”, ka theksuar Shaqiri.

Ylli i Zvicrës ka folur edhe për mbrojtjen e Brazilit. Ka thënë se me Marquinhos dhe Thiago Silva, Brazili ka mbrojtje me përvojë, por që po ashtu ka dobësitë e saj. Sipas Shaqirit, Zvicra duhet t’i shfrytëzoj maksimalisht rastet që i paraqiten. Ai vlerëson se nëse Zvicra kalon në epërsi, ndeshja do të ketë rrjedhë krejt tjetër.

Shaqiri ka folur edhe për mungesën e Neymarit.

“Kjo është përparësia e përfaqësueseve të vogla. Nuk ka të bëj me vetëm një lojtar. Do të jetë rast edhe nesër, ku ne do të luajmë të gjithë së bashku. Vetëm në këtë mënyrë mund të jemi të suksesshëm”.

Shaqiri pranon se Brazili ka impresionuar në ndeshjen e parë, por thotë se Zvicra do të jetë e gatshme dhe do të provojë çdo gjë.

Edhe Shaqiri flet për provokimet e serbëve dhe festën me shqiponjë Futboll Shaqiri flet për provokimet e serbëve dhe festën me shqiponjë

Natyrisht do të shërbejë edhe ndeshja e vitit 2018.

“Ishte po ashtu ndeshje e vështirë, por morëm rezultat të mirë. Ne e dimë çka mund të bëjmë. Ne kemi bërë progres nga ajo kohë dhe kemi më shumë përvojë. Kjo na jep shumë vetëbesim. Kemi dëshmuar në të kaluarën se mund të fitojmë ndaj ekipeve të mëdha”, ka thënë Xherdan Shaqiri.