Sport

Shaqiri mund ta përmbushë ëndrrën olimpike në Paris

Xherdan Shaqiri ka 13 vjet që po shkëlqen me Përfaqësuesen e Zvicrës. Magjiku i shkurtër me stilin e tij të lojës, me gola të jashtëzakonshëm, me lëvizje e me paraqitje interesante brenda dhe jashtë fushës, vazhdimisht jep emocione dhe dhuron shfaqje edhe për bashkëlojtarët e tij.

Por edhe për sa kohë? Në Zvicër ka dyshime nëse karriera e tij me përfaqësuesen helvetike do të zgjasë edhe shumë. Por a do të jetë Zvicra e njëjtë pa të dhe a do të jetë e mërzitshme?

Përgjigjja është jo, shkruan gazeta zvicerane “Blick” të shtunën.

Gazeta e madhe zvicerane po i krahason aftësitë e Shaqirit me ato të sulmuesit Zeki Amdouni. Amdouni po shihet si zëvendësuesi ideal i tij.

Bashkë në Olimpiadë?

Amdouni aktualisht është me Përfaqësuesen U21 të Zvicrës në Kampionatin Evropian në Rumani. Por në turneun e Olimpiadës në vitin tjetër, mund të jenë që të dy së bashku në skuadër. Në një intervistë dhënë mediumit “SRF”, Shaqiri ka thënë se ëndërron që të luajë në Olimpiadë. Në vitin 2012, kur ishte në listë për të luajtur në turneun në Londër, Shaqiri e refuzoi ftesën për shkak të kalimit nga Baseli te Bayern Munichu. Por, dëshiron të jetë në Paris dhe shpreson që kjo do të arrihet me ndihmën e Amdounit. Një gjë është e sigurt. Nëse grupmosha U21 do të jetë në mesin e tri skuadrave më të mira në Kampionat Evropian, doemos do ta ketë vendin e sigurt në Olimpiadë.

“Është mirë për skuadrën që të paraqitet mirë në Kampionatin Evropian”, ka thënë Shaqiri, duke shtuar se Amdouni duhet të luajë mirë edhe në aspektin individual në këtë nivel.

Shaqiri është i bindur se Amdouni është futbollisti që do ta bartë mbi supe të ardhmen e Zvicrës A. “Jam i sigurt se ai do të luajë rol të rëndësishëm dhe do t’i jap formë skuadrës. Por fillimisht ai duhet të tregohet në nivel më të lartë sesa në Superligë dhe më pas të shfaq më të mirën në nivel klubesh. Në të ardhmen ai duhet të bëjë hapin e radhës në ndonjë ligë më të fortë. Është shumë ndryshe nga Superliga. Më pas do të shohim se ku do ta dërgojnë rrugët”, është shprehur Shaqiri.

Mediumi zviceran ka tërhequr paralele mes tij dhe Amdounit.

Që të dy kanë shpërthyer në nivel klubesh te FC Baseli dhe shpejt kanë marrë thirrje nga përfaqësuesja seniore e Zvicrës. Që të dy kanë pasur rastin që të luajnë edhe me moshatarët e tyre.

Zgjodhën Zvicrën

Si Shaqiri, ashtu edhe Amdouni kanë lindur në vende të tjera dhe kanë mundur të luanin për vendin e lindjes së prindërve të tyre. Shaqiri për Kosovën apo Shqipërinë, ndërsa Amdouni për Turqinë apo Tunizinë.

“Zemra ime vendosi”, ka thënë Amdouni kur është pyetur pse ka vendosur ta përfaqësojë Zvicrën. Ata të përbashkët e kanë edhe krenarinë njerëzore.

Amdouni dy vjet më parë refuzoi rikthimin te Servette, për arsye se kjo skuadër vendosi ta largonte atë nga ekipi në moshën 13-vjeçare për shkak të lëndimit të këmbës.

“Fillimisht më thanë se nuk duan që t’i largojnë ata që ishin të lënduar, e më pas unë u desh të largohesha. Unë gjithmonë kam besuar se do të bëhesha profesionist”, është shprehur Amdouni. Pas klubeve Meyrin dhe Etoile Carouge, ai përfundoi te Stade Lausanne-Ouchy në vitin 2019, ku debutoi në futbollin profesionist në moshën 19-vjeçare. Shaqiri ishte pranuar në moshën tetëvjeçare te të rinjtë e Baselit, ndërsa për herë të parë luajti si 17-vjeçar në ekipin e parë.

E lavdërojnë njëri-tjetrin

Dhe më në fund, për herë të parë, që të dy lojtarët luajtën në kualifikime të Evropianit së bashku në duelet kundër Andorrës dhe Rumanisë. Të suksesshëm e spektakolar. Asistime Shaqiri, gola Amdouni. Në të dyja ndeshjet. Madje, asistimi dhe goli kundër Rumanisë ishin spektakël në vete.

“Po kënaqemi shumë me të”, ka thënë Shaqiri për pasardhësin e tij. “Të jesh në fushë me lojtarë si Xherdani është si një ëndërr për mua”, ka kthyer lëvdatën Amdouni.