Sport

Sevim i bindur për sukses: Nëse lojtarët i përmbahen, sistemit tim i mposhtim të gjithë

Turku Can Sevim po e shpërblen besimin e madh që KB Peja e pati në të kur e angazhoi për trajner të ekipit për edicionin 2022/23. Sevim mori drejtimin e Pejës pas përvojës që e pati me ekipet e Superligës së Turqisë, Ted Ankara Colleges, Afyon Belediyespor dhe Petkim SK. Në edicionin 2020/21 ishte zgjedhur trajneri më i mirë në Turqi.

Përvojën që e ka fituar në Turqi, Sevim po e zbaton në Kosovë. Pas pesë xhirove të luajtura këtë edicion në Superligë, Peja ka pesë fitore dhe zë vendin e parë në tabelë me dhjetë pikë. Është ekipi i vetëm pa humbje këtë edicion në elitë. Sevim pranon se ka pritur një start të tillë me Pejën. Ai të martën në një intervistë për KOHËN ka thënë se ishte i bindur se nëse ekipi i beson sistemit të tij të lojës atëherë do ta mposht secilin kundërshtar që ka përballë.

Deri më tani Peja e ka mposhtur Sigal Prishtinën, Ponte Prizrenin, Golden Eagle Yllin, Vëllaznimin dhe Trepçën.

“Në fakt kam pritur të jetë edhe më i vështirë ky start. E dija se nuk do të jetë lehtë. Secila ndeshje që e kemi luajtur deri më tani ka qenë shumë e vështirë. Por, unë i besoj sistemit tim në mbrojtje dhe sulm, kështu që e di sigurisht se nëse atë e aplikojmë në parket atëherë mund ta mposhtim çdokënd”, ka thënë Sevim.

Edhe pse ka një start perfekt, Sevim insiston se ekipi i Pejës nuk e ka arritur ende nivelin e lojës që ai e kërkon. Ai paralajmëron se Peja do të bëhet edhe me e fortë me kalimin e kohës. Lojtarët gradualisht po përshtaten me kërkesat e tij. Sevim tha se edhe në Turqi ekipet e tij kanë evoluar përgjatë sezonit, gjë që e pret edhe te Peja.

“Nuk jemi ende në nivelin që e kërkoj, por mund të them se po përmirësohemi çdo ditë e më shumë. Sekreti është siç e ceka, te sistemi i cili nuk mund të funksionojë pa lojtarët që duhet të përshtaten në të por edhe duhet të jenë persona të mirë dhe të krijojnë një lidhje të mirë ekipore. Mendoj se së bashku me drejtorin Arbër Elshani kemi bërë përzgjedhje të mirë të lojtarëve. Ai më ka ndihmuar shumë në ndërtimin e ekipit dhe pa përkrahjen e tij nuk do t’ia kisha dalë”, shtoi Sevim. “Sigurisht pres që ekipi të bëhet më i mirë nga ndeshja në ndeshje për shkak se gjatë karrierës time të gjitha ekipet kanë pasur një ngritje gjatë sezonit”.

Para se ta pranonte ofertën e Pejës, Sevim ka pasur njohuri të madhe për basketbollin e Kosovës. Ai thotë se shumë trajnerë nga Turqia kanë punuar më përpara në Kosovë dhe janë treguar të suksesshëm. Ndërsa vite më parë ka qenë në Kosovë për një ndeshje miqësore me Trabzonsporin. Pranon se dëshira e tij është që të jetë i suksesshëm sikurse bashkëkombësit e tij në Kosovë. Trajneri i Pejës thotë se i pëlqejnë sfidat. Sevim e ka parasysh se Peja ka kohë që po e pret titullin e kampionit. Herën e fundit Peja është shpallur kampione e Kosovës në vitin 2013.

“Kam pasur njohuri për basketbollin në Kosovë, pasi para tetë vjetësh kam qenë për një ndeshje miqësore me Trabzonsporin si dhe shumë trajnerë nga Turqia kanë punuar këtu para meje. Kështu që do të ishte ide shumë e mirë që edhe unë të kem suksese në Kosovë sikurse ata. Gjithmonë kam dashur të punojë në shtete të ndryshme pasi synimet e mia janë të mëdha në karrierë dhe për t’i realizuar ato duhet ta dëshmoj veten në gara të ndryshme”, tha Sevim. “Peja ka një histori të madhe dhe ka kohë që i mungon titulli. Kështu që kam ardhur këtu për ta kthyer titullin dhe për ta realizuar këtë synim, por natyrisht që kemi nevojë edhe për disa lojtarë shtesë që të luftojmë për secilin trofe të mundshëm. Menaxhmenti po punon shumë për të gjetur burimet e duhura dhe ata kanë besim të madh në vete dhe ekipin tim”.

Sevim paralajmëroi se lufta për titull nuk do të jetë aspak e lehtë. E di që ka edhe skuadra tjera që luftojnë për trofe.

“Mund të them se të gjitha ekipet janë të rrezikshme dhe duhet të tregohemi të kujdesshëm me të gjithë kundërshtarët. Sipas meje Trepça, Ylli, Prishtina dhe Ponte Prizreni janë ekipe shumë të forta”, shtoi Sevim që është i kënaqur me atmosferën në palestër. “Është fantastike që e kemi palestrën e mbushur në çdo ndeshje. Tifozët janë gjithçka për ekipin tonë dhe pres të na përkrahin deri në fund të sezonit sikurse ndaj Trepçës”.

Ndeshjen e radhës Peja e luan në vikend në Prizren kundër skuadrës së Bashkimit.