Sport

Seria e sukseseve të Distria Krasniqit

Distria Krasniqi nuk ka mposhtur Uta Aben, por ka vazhduar serinë e garave të suksesshme. Xhudistja kosovare të premten fitoi medaljen e argjendtë në garën Grand Prix, që po mbahet në Zagreb.

Distria shënoi katër fitore për të arritur në finale, ku pësoi humbje. Atë e mposhti xhudistja aktualisht më e mirë në botë, japonezja Uta Abe.

Me Aben lufta nisi e fortë. Të dy kampionet olimpike kërkuan hedhjen, por ishte japonezja që ishte më e mirë këtë herë.

Abe në “Tokio 2020” fitoi medaljen e artë në kategorinë deri 52 kilogramë. Ajo nuk kishte luftuar që nga atëherë. Të premten në kryeqendrën kroate ishte e pandalshme.

Ndërkohë Distria në Tokio kishte fituar të artën në kategorinë deri 48 kilogramë. Pas Lojërave të Tokios, të mbajtura verën e kaluar, Distria kaloi në kategorinë deri 52 kilogramë. Në këtë kategori po ngrihet gradualisht. Ndonëse ranglista nuk e dëshmon ende këtë, ajo vlerësohet prej tri xhudisteve më të mira në kategori, së bashku me Aben dhe francezen Amandine Buchard.

Uta Abe aktualisht vlerësohet se qëndron në nivel më të lartë. Ajo kishte mposhtur Buchardin në finale të Lojërave Olimpike. Distrinë e ka mposhtur edhe një herë në vitin 2018. Japonezja 22-vjeçare i ka vetëm tri humbje në gara ndërkombëtare. Njërën prej tyre e pësoi në kategorinë deri 57 kilogramë, në garën ekipore në Lojërat e Tokios. Me Buchardin ka gjashtë fitore e një humbje. Humbjen e kishte pësuar në finale të Grand Slamit në Osaka. Një tjetër humbje ia kishte shkaktuar japonezja Natsumi Tsunoda, në finale të Grand Slamit në Tokio, në vitin e largët 2016.

Por Distria me paraqitjen e së premtes dëshmoi edhe njëherë se është në nivel thuajse të njëjtë me Aben. Dhe luftërat e ardhshme mund të kenë fund ndryshe.

Pas Lojërave të Tokios, Distria ishte e pesta në Grand Slamin e Bakusë, kur nuk ishte ende në formën më të mirë fizike, pas pushimit pak më të gjatë. Këtë vit filloi me të artën në Grand Prix të Portugalisë. Më pas fitoi të argjendtën në Grand Slam të Parisit. Në Evropian ishte e treta, ndërsa në Grand Slam të Tbilisit e para. Fitoi titullin edhe në Lojëra Mesdhetare dhe tani të argjendtën në Grand Prix të Zagrebit. Synimi i madh i saj mbetet Botërori i këtij viti. Me shumë mundësi do të përballet me Aben apo me Buchardin.

“Lufta finale nisi mirë. Distria, edhe pse shkurt, pati sulme të forta. Tregoi që di dhe mundet ta gjuajë edhe Aben. Një gabim i kushtoi. Nuk është dashur që lufta të shkojë ashtu. I mbeti krahu keq, kurse në parter Abe është e jashtëzakonshme dhe e shfrytëzoi momentin”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.

Ai nuk ishte me Distrinë në Zagreb. Atë nga këndi i trajnerit e ka udhëhequr Fatos Tabaku, ndihmës i Kukës.

“Distria është duke u ndërtuar për kategorinë deri 52 kilogramë. Na pret shumë punë. Por besoj fuqishëm që do të ecim tutje drejt medaljes olimpike edhe në kategorinë e re”, ka shtuar Kuka.

Në Zagreb, Distria nisi me fitore ndaj qipriotes Sofia Asvesta. Më pas e mposhti zviceranen Binta Ndiaye. Në çerekfinale e kaloi mongolen Khorloodoi Bishrelt, ndërsa në gjysmëfinale bartësen e parë, izraeliten Primo Gofen. Distria ishte bartëse e katërt, ndërsa Abe e treta. Bartësja e dytë, Fabienne Kocher e Zvicrës, pësoi nga Abe në gjysmëfinalen tjetër.

“Në këtë kategori kemi luksin të kemi dy kampione olimpike. Pos Abes, e kemi Distria Krasniqin, të artën në 48 kilogramë. Ajo është më komode në kategorinë deri 52 kilogramë dhe në proces të përshtatjes”, ka shkruar sajti zyrtar i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos.

IJF-ja ka vlerësuar se Distria “ka luajtur me zjarr” në luftën e parë të saj. Më pas ka ecur lehtë deri në finale. Sipas IJF-së, nuk do të ishte e pazakontë nëse Abe e Krasniqi takohen në finale të Botërorit.

“Janë dy xhudiste të jashtëzakonshme dhe të shohësh dy kampione olimpike duke u përballur është e jashtëzakonshme. Dallimi ishte që derisa kosovarja bënte çdo gjë mirë, japonezja ishte perfekte. E arta e Abes në Zagreb ishte paralajmërim për të gjitha, duke nisur nga Krasniqi. Bosi është Abe dhe ajo e ka treguar këtë. Çështja për të tjera është si të mposhtet ajo”, ka vazhduar shkrimi në IJF.

Një analizë të thuktë garës në kategorinë deri 52 kilogramë i ka bërë edhe komentatori i IJF-së, Sheldon Franco-Rooks. Ai ishte i entuziazmuar për finalen Abe – Krasniqi.

“Ndryshimi ishte se të dyja janë kampione olimpike. Ne me të vërtetë e prisnim këtë përballje. Ne pasqyrojmë atë që tifozët duan të shohin. Dhe dëshira jonë u plotësua, ato u takuan në finale. Uta Abe ka luftuar edhe me Majlinda Kelmendin më parë. E mposhti atë në gjysmëfinale të Botërorit në vitin 2019. Dhe ka bilanc 3:0 me Kosovën tashmë”, ka shkruar ai në analizën teknike të garës në Zagreb.

Tonit si trajner dhe Distrisë si xhudiste i shërben shumë përballja me Aben në këtë fazë, në një garë jo të nivelit më të lartë. Është e sigurt që të dy do të vazhdojnë punën e madhe që përballja e ardhshme me Aben të ketë fund tjetër.