(E përditësuar 18:30) - Distria Krasniqi është nënkampione e botës në xhudo.
Sukesin e madh, garuesja kosovare e arriti të shtunën në Botërorin që po mbahet në Budapest të Hungarisë. Në finale të kategorisë deri 52 kilogramë, Distria u mposht nga legjenda japoneze, Uta Abe. Ndaj saj dominoi për kohë të gjatë, por Abe në minutën e fundit realizoi hedhje për Ippon.
Lufta në përgjithësi ishte e fortë, por Abe në një moment sërish dëshmoi se pse është prej xhudisteve më të mira në histori.
Distria ishte bartësja e dytë e kategorisë deri 52 kilogramë dhe njëra prej favoriteve kryesore. Ashtu si pritej, arriti në finale ku përballë e kishte japonezen e jashtëzakonshme. Ndaj saj i kishte humbur tri përballjet e kaluara.
29-vjeçarja Krasniqi në xhiron e parë ishte e lirë, ndërsa në të dytën e mposhti bindshëm brazilianen Jessica Pereira. Lufta ndaj saj zgjati saktësisht dy minuta. Me të nisur lufta, Distria realizoi hedhje për Yuko. Vazhdoi sulmet dhe më pas realizoi hedhje për uazari e më pas edhe për Ippon.
Edhe në luftën e dytë xhudistja e kryemjeshtrit Driton Kuka ishte bindëse. Përballë e kishte Francine Echevarrian e Porto Rikos. Ajo i mori tri dënime rresht dhe kështu fitorja me Ippon i takoi xhudistes pejane.
Në çerekfinale, Distria u përball me xhudisten hungareze Reka Pupp. Lufta ishte e fortë dhe zgjati katër minuta, kurse Pupp kishte përkrahje të madhe nga shikuesit. Krasniqi fitoi me një “Yuko” e një uazari.
Ndërkohë në gjysmëfinale sportistja më e mirë shqiptare u ndesh me spanjollen Ariane Toro Soler. Spanjollja shmangu vazhdimisht luftën dhe shpejt pësoi tri dënime, që i mundësuan Krasniqit fitore me “Ippon” dhe që për herë të parë të kualifikohet në finale të Kampionatit Botëror për të rritur.
Suksesi i së shtunës është prej më të mëdhenjve, por jo më i madhi për Distria Krasniqin. Kulmin e arriti në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, të mbajtura në vitin 2021 për shkak të pandemisë. E fitoi të artën në kategorinë deri 48 kilogramë. Në “Parisi 2024”, Distria fitoi medalje të argjendtë olimpike. I ka edhe dy të bronzta botërore, tri të arta evropiane, dy të argjendta e tri të bronzta. Në garat tjera të xhudos, Masters, Grand Slam e Grand Prix, numri i medaljeve të saj është shumë i madh.
Për Kosovën, përkatësisht për ekipin e kryemjeshtrit Kuka, Botërori tashmë është tregim suksesi. Por të tjera medalje synohen me Akil Gjakovën e Laura Fazliun. Akili garon të dielën në kategorinë deri 73 kilogramë, ndërsa Laura të hënën në kategorinë deri 63 kilogramë.
Finale ëndrrash: Distria Krasniqi - Uta Abe
(E përditësuar 15:59) - Dy xhudistet më të mira të kategorisë deri 52 kilogramë, Uta Abe e Distria Krasniqi do të përballen në finale të Kampionatit Botëror në Budapest të Hungarisë.
Japonezja Abe vlerësohet prej legjendave të xhudos, njëjtë si Distria.
Abe nuk ishte bartëse, por ashtu si pritej arriti në finale.
Distria shënoi katër fitore për kualifikim në finale.
Abe ka fituar tri përballjet e deritashme me Distrinë.
Sukses historik, Distria në finale të Botëtorit
(E përditësuar 15:47) - Distria Krasniqi ka arritur sukses historik. Për herë të parë është kualifikuar në finale të Kampionatit Botëror. Në gjysmëfinale e mposhti bindshëm spanjollen Ariane Toro Soler. Spanjollja i pësoi tri dënime.
Distria siguron gjysmëfinalen në Botërorin e xhudos
(E përditësuar 15:10) - Distria Krasniqi e ka siguruar gjysmëfinalen në Kampionatin Botëror të xhudos në Budapest të Hungarisë.
Krasniqi e mposhti në çerekfinale xhudisten hungareze Reka Pupp. Distria fillimisht realizoi uazari, ndërsa një sekond para fundit të luftës, realizoi “Yuko”.
Në gjysmëfinale do të përballet me spanjollen Ariane Toro Soler.
Në luftën e parë fitoi ndaj brazilianes Jessica Pereira, ndërsa në luftën tjetër dominoi edhe ndaj xhudistes nga Porto Riko, Francine Echevarria.
Distria e fiton edhe luftën e dytë
(E përditësuar 13:58) - Distria Krasniqi e ka kaluar edhe pengesën e dytë në Kampionatin Botëror të xhudos në Budapest. Në kuadër të raundit të tretë në kategorinë deri 52 kilogramë, Distria e mposhti lehtë kundërshtaren nga Porto Riko.
Ndaj saj fitoi me Ippon. Kundërshtarja e Distrisë i pësoi tri dënime.
VIDEO:
Fillim i furishëm i Distria Krasniqit në Kampionatin Botëror
Pas pak sekondash realizoi hedhje për “Yuko”. Nuk vonoi shumë dhe siguroi uazari e më pas edhe Ippon.
Distria Krasniqi ka nisur furishëm paraqitje në Kampionatin Botëror të xhudos në Budapest.
Në luftën e parë në kategorinë deri 52 kilogramë, Distria e mposhti brazilianen Jessica Pereira. Ndaj saj dominoi plotësisht, ndërsa fitoi me Ippon pas dy minutave luftë. Për dy minuta, Distria i realizoi tri hedhje efektive.
Distria është bartëse e dytë e kategorisë.
Kryemjeshtri Kuka tregon çka e vendosi finalen Krasniqi – Abe
Trajneri i Kosovës në xhudo, kryemjeshtri Driton Kuka, ka uruar Distria Krasniqin për medaljen e argjendtë botërore.
Kuka e ka vlerësuar paraqitjen e Distrisë.
“E preku finalen e madhe. Ishte duke punuar mirë, por japonezja Abe shfrytëzoi një gabim dhe kaq mjaftojë. Xhudo e federata jonë vazhdojnë tutje. Medalja numër nëntë nga Kampionatet Botërore. Ne do të ecim përpara, përkundër obstruksioneve të projekve të federatës sonë. S’do të të ndalemi asnjëherë, mos u habitni”, ka shkruar Kuka në rrjetet sociale.
Pse Uta Abe është prej xhudisteve më të mira në histori?
Distria Krasniqi kishte iniciativën në luftë me Uta Aben, por humbi sërish nga legjenda japoneze. Abe e fitoi titullin e kampionit të botës në kategorinë deri 52 kilogramë, ndërsa Distria është për herë të parë nënkampione e botës.
Ndonëse ende 24-vjeçare, Abe tashmë vlerësohet prej xhudisteve më të mira në histori. Ajo është fituese e medaljes së artë olimpike në “Tokio 2020”. Ka plot pesë tituj të botës, ndërsa ka fituar shumë medalje në garat Grand Slam e Grand Prix.
Vëllai i saj, Hifumi Abe është po ashtu prej më të mirëve në botë.

Abe ka shumë pak humbje në karrierë. Humbjën e parë e pësoi në vitin 2016, në fillim të karrierës si e rritur. Humbje tjetër pësoi në vitin 2019, ndërsa në gara individuale më pas nuk humbi deri në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Ishte befasuar në xhiron e dytë nga uzbekja Diyora Keldiyorova, që më pas kishte fituar të artën. Ai rezultat e kishte shokuar, ndërsa Abe kishte nisur të qaj në tatami. I ishin dashur shumë minuta për t’u larguar nga tatami. E kishte shqyrtuar edhe tërheqjen nga xhudoja, por u kthye dhe tani fitoi tjetër titull të botës.
Në karrierë i ka mbi 100 fitore dhe vetëm tri humbje. E ka edhe një humbje në gara ekipore.
Xhudoja e Abes vlerësohet e shkëlqyer, ndërsa vlerësohet gati e papërballueshme. Por Distria e sfidoi goxha shumë të shtunën në finale të Botërorit. Distria garoi dukshëm më mirë se në tri përballjet e kaluara që i kishte humbur nga Abe.