Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Serbisë “nuk i bën përshtypje” pjesëmarrja e Kosovës në Novi-Sad

Federata e Karatesë e Serbisë është pajtuar me pjesëmarrjen e karateistëve të Kosovës në Kampionatin Evropian, që do të mbahet në Novi-Sad prej 9 deri më 13 maj.

Kryetari i Federatës së Karatesë së Serbisë, Slavoljub Piper ka thënë se nuk është i preokupuar me pjesëmarrjen e Kosovës apo ndonjë shteti tjetër. Sipas tij, ai është i angazhuar rreth organizimit sa më të mirë të kësaj ngjarjeje, ka njoftuar të martën e përditshmja serbe "Danas".

Kjo deklaratë e tij është krejt tjetër krahasuar me atë të autoriteteve serbe që pak javë më parë anuluan një turne kualifikues të hendbollit (U20 - femra), ku duhej të merrte pjesë edhe Kosova. Madje, një ndeshje u luajt në Beograd, por kur i erdhi radha Kosovës, ajo u anulua e më pas i gjithë turneu, transmeton Koha Ditore.

Për Federatën serbe të Karatesë, kjo do të jetë hera e dytë që do të organizojë një ngjarje të rëndësishme, pasi para tetë vjetësh kishte organizuar edhe kampionatin botëror dhe nuk dëshiron të dështojë. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).