Sport

Serbët vazhdojnë me garat ilegale, u luajt finalja e “Kupës së Kosovës dhe Metohisë”

Me pak shikues në tribuna, dy ekipe të përbëra me lojtarë serbë, të mërkurën e kanë luajtur finalen e një gare që në Kosovë është ilegale. Futbollistët e klubit të ashtuquajtur “Trepça” nga pjesa veriore e Mitrovicës dhe ata të klubit të ashtuquajtur “Mokra Gora” nga Zubin-Potoku kanë luajtur finalen e “Kupës së Kosovës dhe Metohisë”.

Ndeshja është luajtur në Zhitkoc, në afërsi të Zveçanit. Gara është nën ombrellën e Federatës së Futbollit të Serbisë, që vazhdon me aktivitete ilegale në territorin e shtetit të Kosovës.

Mokra Gora ka mbrojtur trofeun nga viti i kaluar, ka njoftuar e ashtuquajtura “Federata e Futbollit e Kosovës dhe Metohisë”.

Ndeshja ishte me kthesa në rezultat dhe me shumë gola. Pas 90 minutave rezultati ishte 2:2 dhe kështu fituesi u përcaktua përmes penalltive.

“Hero i kësaj ndeshjeje ishte portieri i Mokra Gorës, Milan Milentijeviq, që ia doli të ndalte penalltinë e Zhiviqit dhe kështu i siguroi ekipit të tij edhe një trofe. Me këtë rast duam të urojmë ekipin Mokra Gora që për herë të dytë rresht ka fituar Kupën e Kosovës dhe Metohisë. I dëshirojmë suksese në vazhdim të garës në Kupën e Serbisë”, thuhet në njoftimin e së ashtuquajturës “Federatë e Futbollit të Kosovës dhe Metohisë”.

Pra njoftimi bën të qartë se kjo garë ilegale ka lidhshmëri direkte me garën për Kupën e Serbisë. Kjo në fakt nuk është asgjë e re. Federatat serbe nuk kanë ndalur asnjëherë aktivitetin në territorin e Kosovës. Në muajt e fundit aktivitetet u zhvilluan disi në heshtje dhe disa prej tyre janë bartur në qytete në Serbi, afër kufirit me Kosovën. Kështu për shembull kishte vepruar klubi i hendbollit Mokra Gora nga Zubin-Potoku, që shumicën e ndeshjeve i luajti në afërsi të Novi-Pazarit. Mokra Gora luajti në Superligën e Serbisë, por ra nga liga elitare e shtetit fqinj.

Sa i takon futbollit, aktivitetet e federatës së Serbisë vazhdojnë në territorin e Kosovës. E ashtuquajtura “Kupa e Kosovës dhe Metohisë” është dëshmi për këtë. Sipas njoftimit, në këtë garë morën pjesë tetë skuadra. Ndeshjet çerekfinale janë luajtur më 17, 18 dhe 19 maj dhe jo vetëm në qytetet në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Një ndeshje çerekfinale ishte luajtur në Leposaviq, dy në Partesh e një në Zhitkoc. Një javë më pas ishin luajtur gjysmëfinalet. Një ndeshje ishte luajtur në Zubin-Potok e një në Gracë, në afërsi të Lipjanit.

“Ibar”, “Trepça”, “Mineralac”, “Rudar”, “Morava”, “Mokra Gora”, “Dif” dhe “Gracko” janë klubet që garuan për “Kupën e Kosovës dhe Metohisë”.

Në javët e fundit ka pasur edhe ndeshje për promovim në ligat zonale të Serbisë. Një të tillë e kishin luajtur ekipet nga Graca dhe Pasjani. Ndërkohë klubi “Ibar” nga Leposaviqi, sipas njoftimeve, ka fituar ligën e qarkut të Mitrovicës dhe ka siguruar ndeshjen e barazhit për promovim në një ligë zonale të Serbisë.

Ndonëse niveli është krejtësisht amator, ekipet e përbëra nga serbët lokalë vazhdojnë me aktivitete ilegale në territorin e Kosovës.

Shteti i Kosovës ende nuk ka shtrirje në gjithë territorin, përkatësisht në veri dhe kjo nuk dallon as në sport. Ka pasur përpjekje për të ndalur aktivitetet ilegale të federatave të Serbisë në territorin e Kosovës, por pa shumë sukses. Tashmë po mungojnë edhe reagimet zyrtare të federatave kosovare dhe aktivitetet e Federatave të Serbisë po pranohen disi në heshtje.

Dhe kështu fotografi si ato të lojtarëve të Mokra Gorës me tre gishta lart e me Kupë përpara pritet të ketë edhe në të ardhmen.