Sport

Serbët u kthehen garave ilegale në Kosovë, organizuan “finale të Kupës”

Garat ilegale të Serbisë po zhvillohen sërish në territorin e Kosovës. Madje në mes të Kosovës.

Të shtunën në stadiumin “Dragan Gjajiq” në Graçanicë është luajtur e ashtuquajtura “finale e Kupës së Kosovës dhe Metohisë” në futboll. Këtë ndeshje e ka organizuar e ashtuquajtura “Federatë e Futbollit e Kosovës dhe Metohisë”. Kjo e ashtuquajtur organizatë sportive funksionon në mënyrë ilegale në Kosovë, ndërsa është pjesë e Federatës së Futbollit të Serbisë.

Sipas njoftimit të së ashtuquajturës “Federatë e Futbollit e Kosovës dhe Metohisë” në atë finale janë takuar “FK Gracko” dhe “FK Kusce”.

“Fitore ka shënuar skuadra nga Gracka e Vjetër, duke fituar kështu trofeun që i kushtohet fituesit të Kupës së Kosovës dhe Metohisë. E urojmë ekipin FK Gracko për fitore dhe suksesin e arritur dhe i dëshirojmë shumë fat në vazhdim të garës për Kupën e Serbisë”, thuhet në njoftimin e së ashtuquajturës “Federatë e Futbollit e Kosovës dhe Metohisë”.

Janë publikuar edhe fotografi. Njëri ekip kishte fanellat me ngjyrat e flamurit të Serbisë, ndërsa tjetri e kishte flamurin e Serbisë në gjoksin e lojtarëve. Fotografitë dëshmojnë që niveli është plotësisht amator, rekreativ.

“FK Gracko”, ekipi nga Graca e Lipjanit, ka fituar 8:1. Një zyrtar i këtij ekipi ka shkruar se ky është suksesi më i madh prej se është krijuar ekipi. “FK Kusce” është nga Kufca e Epërme e Gjilanit.

Për një kohë garat ilegale të Serbisë nuk janë zhvilluar në territorin e Kosovës. Në fillim të prillit nisi e ashtuquajtura “Ligë e Anamoravës”. Pas shkrimeve të KOHËS për atë ligë ilegale, FFK-ja reagoi. Më pas Policia e Kosovës mori vendim për të ndaluar garat ilegale të Serbisë në territorin e Kosovës. Garat ilegale më pas nuk janë mbajtur, apo të paktën nuk janë bërë publike. Por ka pasur aktivitete ilegale në javët e fundit.

“Me urdhër të drejtorit gjeneral të Policisë së Kosovës, kërkohet që të ndalohen të gjitha aktivitetet sportive të klubeve që nuk janë të regjistruara në federatat e Republikës së Kosovës, ku aktivitetet e tyre janë në kundërshti me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës”, shkruante në vendim të Policisë së Kosovës. Me atë vendim ishin njoftuar ekipet ilegale që ndalën aktivitetin.

Pas vendimit të Policisë së Kosovës, Federata e Futbollit e Serbisë i kishte shkruar UEFA-s, duke e shtrembëruar realitetin. Federatën e Futbollit të Serbisë e udhëheq pikërisht Gjajiq, emrin e të cilit e mban stadiumi në Graçanicë. Gjajiqi në letrën për presidentin e UEFA-s, Aleksander Çeferin, nuk e kishte cekur se garat e serbëve në Kosovë i organizon Federata e Futbollit e Serbisë.