Amir Shaipi ndihmoi Luganon që të kalojë në gjysmëfinale të Kupës së Zvicrës, pas fitores së arritur ndaj Baselit. Portieri i Luganos ka marrë ndihmë nga vëllai i tij në penalltinë vendimtare.
Njerëzit e pafat janë gjetur shpejt në skuadrën e Baselit pas ndeshjes së hidhur kundër Luganos. Njëri prej tyre është kapiteni Fabian Frei, 35-vjeçari, i cili rrëshqiti dhe dështoi të realizonte nga 11-metërshi. Tjetri ishte Dominik Schmid, 25-vjeçar, që e gjuajti penalltinë e pestë të Baselit.
23-vjeçari Shaipi u bë hero pasi e priti penalltinë e tij dhe e dërgoi Luganon në gjysmëfinale të Kupës. Koha e rregullt dhe vazhdimet u mbyllën baras, 2:2. Zhan Celar shënoi për mysafirët në pjesën e parë, kurse Thierno Barry realizoi dy golat për vendësit në pjesën e dytë. Lugano në penallti fitoi 4:3.
Por ishte vëllai i Shaipit të gjatë 194 centimetra ai i cili i ka ndihmuar gjatë penalltisë vendimtare.
“Ai ishte ulur prapa bankës së rezervistëve të Luganos dhe më tregoi me dorë se nga cila anë të hidhem”, shpjegon Shaipi.
Hero i penalltive në vitin 2022
Në të njëjtën kohë, portieri i Luganos është paksa i mërzitur se pse nuk i ka përcjellë instruksionet e vëllait të tij edhe më herët. “Ai më ka treguar edhe anët e penalltive të tjera, por unë u kam besuar instinkteve të mia”, thotë Shaipi. “Nëse do ta dëgjoja edhe më herët, ndoshta do ta prisja edhe ndonjë penallti”.
Shaipi, megjithatë, nuk është shquar për pritje të penalltive në Superligë. Ish-portieri i Zvicrës U21 e ka pritur vetëm një penallti nga 12 sa i ka pasur përballë në ligë deri tani. Ndryshe janë gjërat në Kupë. Në prill të vitit 2022, ai shkëlqeu në gjysmëfinale kundër Luzernit, pasi kishte pritur dy penallti dhe e kishte dërguar skuadrën e tij në finale.
Lugano para finales së tretë
Lugano e ka arritur finalen për herën e tretë rresht në këtë edicion. Trajneri Mattia Croci-Torti, 41-vjeçar, i ka fituar 14 nga 15 ndeshje të Kupës, qëkur e mori drejtimin e skuadrës para dy vjetësh e gjysmë. Humbja e vetme ishte disfata 3:2 nga Young Boysi në qershorin e kaluar.
“Këto ndeshje janë jetë a vdekje”, ka thënë Croci-Torti pas avancimit dramatik. Ekipi i tij ishte i qetë deri në momentin kur Baseli barazoi rezultatin. “Kemi gjuajtur shumë mirë nga penalltia”, ka thënë trajneri i Luganos.
Portieri 36-vjeçar i Baselit, Marwin Hitz, u mposht nga të gjithë lojtarët e Luganos që gjuajtën nga 11 metra. Ndoshta edhe për shkak se, ndryshe nga Shaipi, nuk e patën ndihmën vëllazërore nga shkallët e tribunave.