Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Sassuolo vendos pas “Euro 2020” se ku do ta shesë Locatellin

Sassuolo është e vendosur ta shesë gjatë kësaj vere mesfushorin italian, Manuel Locatelli. Por vendimin se cilës skuadër do t’ia shesë do ta bëjë pas përfundimit të Euro 2020.

Drejtori i Sassuolos, Giovanni Carnevali, ka konfirmuar se në javën tjetër do të kenë takim me Juventusin, ndërsa është raportuar se ofertë ka bërë edhe Arsenali.

“Ne u takuam me Juventusin dhe caktuam një takim javën tjetër, por gjithçka është ende vetëm në shqyrtim. Ne jemi duke shikuar momentin dhe do të flasim me Locatellin pasi të përfundoj Evropiani, pasi duam të jetë i relaksuar. Ne morëm disa oferta shumë të rëndësishme për Locatellin, mes tyre një është në fazë të avancuar”, ka thënë Carnevali në një konferencë për media.

Locatelli është në finale të Evropianit me Italinë. Të dielën Italia luan në finale të “Euro 2020” kundër Anglisë në stadiumin “Wembley”.