Trajneri i Juventusit, Maurizio Sarri, është ndarë i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij në 30 minutat e parë të ndeshjes ndaj Milanit. Ai ka vlerësuar se paraqitja e skuadrës më pas është “venitur”.
Juventusi të premten mbrëma barazoi pa gola me Milanin në gjysmëfinale të Kupës së Italisë. Juve ka kaluar në finale falë rregullit të golit si mysafir. Ndeshja e parë në Milano kishte përfunduar 1:1.
Ndeshja Juventus – Milan ka shënuar rikthimin e futbollit italian. Finalja e Kupës do të luhet më 17 qershor në Romë, ndërsa Juventusi do të përballet me Napolin apo Interin.
Cristiano Ronaldo ka humbur penallti në ndeshjen e së premtes.
“Është ndjenjë e mirë që të shohësh skuadrat duke luajtur pas pushimit prej tre muajve. Natyrisht nuk është e njëjtë pa tifozët”, ka thënë Sarri për Rai Sport.
“Kam qenë shumë i befasuar dhe i kënaqur me 30 minutat e parë. Kemi lëvizur topin shpejtë dhe plotësisht kemi dominuar ndeshjen, edhe para kartonit të kuq. Më pas gradualisht ka rënë tempo e intensiteti. Por ky është rreziku i një stadiumi të zbrazët”.
Edhe
Trajneri i Milanit i kënaqur me kalimin në çerekfinale
Ante Rebiq është përjashtuar me të kuq në minutën e 17-të.
“Në fillim kemi luajtur mirë, kemi luajtur me një apo dy prekje të topit, por më pas jemi ngadalësuar dhe kemi humbur nga mprehtësia. Jemi fokusuar më shumë në lëvizje individuale dhe kemi prekur topin më shumë. Gjëja pozitive është që nuk e kemi lejuar kundërshtarin të luajë fare. Do të duhet pak kohë për të kthyer gjendjen fizike dhe mentale në 100 për qind. Do të duhet pak durim, por 30 minutat e parë ishin shenjë e shkëlqyeshme”, ka theksuar Sarri.