Mbrojtësi William Saliba ka firmosur kontratë të re afatgjate me skuadrën e Arsenalit. Ekipi nga Londra ka njoftuar se Saliba do të jetë pjesë e klubit deri në verën e vitit 2027 me kontratën e re.
22-vjeçari edicionin e shkuar ishte njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm tek Arsenali dhe vlerësohet lart nga trajneri Mikel Arteta.
Në 33 paraqitje në të gjitha garat edicionin e shkuar, francezi kontribuoi me 3 gola e 1 asistim.
Saliba iu bashkua Arsenalit në vitin 2019 dhe kishte kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm. Ai verën e shkuar u rikthye te Arsenali pas huazimeve që i pati te St. Etienne, Nice edhe Olympique Marseille.
Krahas kontratës së re, Saliba prej edicionit të ri do të ketë edhe numër të ri në fanellë. Ai do të bartë fanellën me numrin 2.
Po ashtu, Saliba ka edhe tetë ndeshje të luajtura me Francën, për të cilën debutoi vitin e shkuar.