Zëvendës-trajneri i Kosovës, Muharrem Sahiti, është shprehur mjaft i kënaqur me paraqitjen e Betim Fazlijit.
Mbrojtësi i St. Gallenit, Fazliji, ka debutuar për Kosovën sot në miqësoren që e humbi 2:1 ndaj Shqipërisë. Ai luajti tërë ndeshjen.
“Me Fazlijin jemi jashtëzakonisht të kënaqur, pati një paraqitje pozitive pas vetëm dy stërvitjeve me ne. Sigurisht që është rezultat negativ kur humb. Startuam keq, në pjesën e parë nuk luajtëm mirë, ishim pa ritëm, intensitet dhe dëshirë. Në pjesën e dytë ishim më të mirë, por nuk mjaftoi për të bërë diçka më shumë. Tek lojtarët nuk ka pasur ngarkesë që të fitohet loja, pasi në këtë ndeshje kemi dashur të provojmë edhe disa nga lojtarët që nuk kanë pasur minutazhë të madhe. Shqipëria është një ekip i mirë, me mbrojtje të fortë. Ne luajtëm gabimisht dhe lejuam shumë hapësira”, ka thënë Sahiti, që ka drejtuar Kosovën në këtë ndeshje, pasi është konfirmuar se seleksionuesi Bernard Challandes është infektuar me koronavirus. “Gjendja shëndetësore e Challandesit është e mirë, nuk ka simptome. Para ndeshjes me Slloveninë do të bëhet testi dhe të shohim. Urojmë të rezultojë negativ dhe të jetë pjesë e ekipit, sepse mungesa e tij fizike po ndikon. Shpresoj të jetë në stol në dy ndeshjet e radhës”.