Sport

Rusia nuk mund ta përdorë emrin dhe flamurin në dy Olimpiadat e ardhshme

Rusia nuk do të jetë në gjendje ta përdorë emrin, flamurin dhe po ashtu himnin në dy edicionet e ardhshme të Lojërave Olimpike e po ashtu edhe në kampionatet botërore për dy vjetët e ardhshëm, pas vendimit të marrë nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS), raporton agjencia AP.

Gjykata me seli në Lozanë ka përgjysmuar suspendimin prej katër vjetëve që ishte propozuar nga Agjencia Botërore e Anti-Dopingut vitin e kaluar, në një rast të madh ku Rusia u akuzua se ka dëmtuar bazën e të dhënave të laboratorit testues në Moskë. Vendimi ka bllokuar Rusinë nga organizimi i ngjarjeve të mëdha sportive në dy vjetët e ardhshëm.

Sportistët rusë dhe skuadrat prapë do të lejohen të garojnë në Lojërat Olimpike të Tokios vitin e ardhshëm dhe Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin në vitin 2022, si dhe në kampionatet botërore përfshirë në atë të futbollit në Katar më 2022, në rast se nuk suspendohen apo dyshohen për doping.

Një fitore për Rusinë është emri i propozuar për ngjarjet e mëdha. Emri “Rusia” mund të mbetet në uniforma nëse fjalët “Sportist Neutral” apo “Skuadër Neutrale” është po aq e theksuar, ka thënë gjykata.

Sportistët rusë po ashtu mund të mbajnë uniformat me ngjyra të shtetit kuq, bardhë e kaltër. Kjo nuk ishte e mundur për rusët në dy botërorët e kaluar të atletikës.

Presidenti i WADA-s, Witold Banka, e ka përshëndetur vendimin e CAS-it, ndonëse është përgjysmuar dënimi që kishte propozuar.