Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rumunët bëjnë tifo për Kosovën kundër Izraelit të “forcuar” në sulm

Eran Zahavi do t’i prijë sulmit të Përfaqësueses së Izraelit në ndeshjen kualifikuese për “Euro 2024” kundër Kosovës që zhvillohet në Prishtinë. Zahavi shihet si përforcim shtesë tek Izraeli, duke pasur parasysh se është njëri prej lojtarëve më të mirë të këtij vendi. Në fakt, Zahavi është golashënuesi më i mirë i Përfaqësueses së Izraelit, me 33 gola të shënuar në 70 paraqitje.

Ish-kapiteni i Izraelit, i cili luan për Maccabi Tel Avivin, ka vendosur të “dalë” nga pensionimi ndërkombëtar për ta ndihmuar përfaqësuesen në tentimin për t’u kualifikuar për Evropianin e vitit të ardhshëm që do të mbahet në Gjermani.

Kthimin e Zahavit tek Izraeli e ka konfirmuar edhe Federata izraelite të mërkurën nëpërmjet një njoftimi. Zahavi në shtator të vitit të shkuar njoftoi tërheqjen nga Përfaqësuesja e Izraelit shkaku i një pakënaqësie të tij gjatë grumbullimit. Ai ndeshjen e fundit me Izraelin e ka luajtur në nëntor të vitit 2021 kundër Austrisë, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022”. Ndeshja e parë e Zahavit pas kthimit tek Izraeli do të jetë ajo kundër Kosovës që i takon Grupit I të kualifikimeve. Kjo ndeshje është dashur të luhet më 15 tetor, por është shtyrë shkaku i situatës së krijuar në Lindjen e Mesme. Do të zhvillohet më 12 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Në muajin nëntor Izraeli do t’i luajë katër ndeshje kualifikuese. Pas Kosovës do të përballet me Zvicrën (15 nëntor), Rumaninë (18 nëntor) dhe Andorrën (21 nëntor).

Aktualisht Izraeli zë vendin e tretë në grup me 11 pikë, pesë më pak se Rumania që është e para dhe ka dy ndeshje më shumë të zhvilluara.

“Vendi ynë është në një kohë kur të gjithë duhet të bashkohemi në rrugën e fitores. Në momente të tilla secili duhet të japë kontributin e tij. Kështu që parimet e profesionit tim që i kam respektuar gjatë gjithë karrierës tani janë dytësore, pasi do t’i bashkohem ekipit me qëllimin për t’i sjellë gëzim shtetit të Izraelit në rrugën drejt kualifikimit për Evropian”, ka thënë Zahavi.

Dueli mes Kosovës dhe Izraelit do të shikohet me interesim të madh në Rumani. Në të vërtetë, rumunët do të bëjnë tifo për “Dardanët”, pasi shpresojnë se Izraeli mund të ndalet në Prishtinë. Te Rumania nuk duan të besojnë se Kosova nuk do ta ketë në dispozicion ekipin më të fortë për Izraelin. Mediumi “Prosport” ka shkruar se rumunët po besojnë se të gjitha ekipet evropiane do t’i lirojnë futbollistët kryesorë të Kosovës për ndeshjen e 12 nëntorit, përkundër që kanë ndeshje në kampionatet e tyre. Aludojnë në Vedat Muriqin e Mallorcas, Amir Rrahmanin e Napolit, Edon Zhegrovën e Lillet, Milot Rashicën e Beshiktashit dhe disa të tjerë, pasi ekipet e tyre më 12 nëntor kanë ndeshje për të luajtur.

Edhe  Izraeli kërkon pikët në Prishtinë Sport Izraeli kërkon pikët në Prishtinë

“Jemi të bindur se Federata e Kosovës do t’i qaset seriozisht ndeshjes me Izraelin. Bëhet fjalë për imazhin dhe reputacionin e një përfaqësueseje të re dhe do të ishte turp të prezantoheshin me ekip dytësor. Për më tepër ky skenar do të ishte një shuplakë për gjithë futbollin evropian”, ka thënë një zyrtar i federatës rumune në kushte anonimiteti.

“Jemi të fokusuar në ndeshjen kundër Izraelit pasi kualifikimi varet nga ne, por ka gjasa të ndodhë në Prishtinë. Ne i njohim kosovarët si profesionistë dhe nuk besojmë se nuk kanë mendim të mirë për ne pas ndeshjes në Bukuresht me problemet e krijuara nga tifozët, apo që Rumania nuk e njeh Kosovën si shtet”.