Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ruben Dias dhe Thiago Silva – liderët e mbrojtjeve të finalistëve të Championsit

Të dy u transferuan në fillim të këtij sezoni dhe të dy kanë pasur ndikim të madh në ekipet e tyre, të cilat i kanë ndihmuar të kualifikohen në finalen e Ligës së Kampionëve, që zhvillohet të shtunën mbrëma (21:00) në Porto. Takohen në finale dy gjigantët anglezë të futbollit, Manchester City dhe Chelsea. Ruben Dias iu bashkua Cityt nga Benfica për një dëmshpërblim rekord prej 74 milionë eurosh, që e bën portugezin futbollistin më të shtrenjtë në histori të ekipit nga Premier League. Megjithatë, Dias në edicionin e tij të parë te City e ka arsyetuar dëmshpërblimin e paguar, pasi ka qenë njëri prej lojtarëve më stabil në përbërjen e Pep Guardiolas. Në fund të sezonit në Premier League, ku City doli kampion, Dias është shpallur futbollisti më i mirë i kampionatit anglez.

Ndërkohë, Thiago Silva iu bashkua Chelseat si lojtar i lirë pasi i skadoi kontrata me Paris Saint-Germainin dhe te skuadra londineze ishte i padiskutueshëm në mbrojtje, si me trajnerin Frank Lampard ashtu edhe me Thomas Tuchelin. Paraqitjet e tij fantastike kanë detyruar krerët e klubit që menjëherë t’ia vazhdojnë Silvas 36-vjeçar kontratën edhe për sezonin e ardhshëm.

Dias – përforcimi transformues i Cityt

Ai që mund të rezultojë të jetë sezoni më i lavdishëm i Manchester Cityt, filloi pa fat me ndeshjen e parë në shtëpi, që përfundoi me humbje të thellë 5:2 nga Leicesteri. Përgjigjja e shpejtë e Cityt për këtë debakël ishte transferimi i menjëhershëm i Diasit për dëmshpërblimin rekord të klubit.

“Nëse kjo nuk funksionon, unë mendoj se është ndoshta fundi i projektit të Pep Guardiolas”, tha ish-mbrojtësi i Liverpoolit, Jamie Carragher ditën që Dias iu bashkua Cityt.

Edhe Dias mbetet te Manchester City Futboll Dias mbetet te Manchester City

Në vend të kësaj, Dias, jo vetëm që ka mbuluar përfundimisht boshllëkun e lënë nga largimi i Vincent Kompanys në vitin 2019, por ai ka pasur një ndikim transformues tek ata që ishin pranë tij. Reprezentuesit e Anglisë, John Stones e Kyle Walker papritmas duken si lojtarët që u paguan shtrenjtë, të cilët City i bleu në ditët e para të Guardiolas si trajner. Portugezi nuk e pati problem t’i përshtatej futbollit fizik të Anglisë, por është lidershipi i tij në vitin e parë te City dhe ai që ka tërhequr vëmendjen.

"Kundërshtarët gjithmonë do të shënojnë, sepse ata janë të mirë, por ne nuk u japim atyre mundësi të lehta. Ky përmirësim i madh ka ardhur nga Ruben Dias”, tha Guardiola në mars. “Ai është një qendërmbrojtës që drejton vijën e mbrojtjes dhe ekipin. Paraqitjet dhe vendimmarrja e tij janë të mira, dhe kjo e bën atë një mbrojtës fantastik”.

Falë Diasit, City ka pasur një prej mbrojtjeve më të mira në Champions, duke pësuar katër gola në 12 ndeshje. Ndërsa në ligë pati një seri prej dhjetë ndeshjeve pa pranuar gol, e cila i ndihmoi të forcojë pozitën e parë në tabelë dhe të krijojë distancën e pikëve mes kundërshtarëve.

Lidhja e ngushtë e Silvas me Tuchelin

Për dallim prej Diasit, që është në fillim të karrierës, braziliani Thiago Silva është në përfundim të saj. Mirëpo përvoja e tij e madhe dhe marrëdhënia me trajnerin Thomas Tuchel, e bëjnë Silvan të vlefshëm për Chelsean, skuadër që suksesin e këtij viti e ka ndërtuar kryesisht përreth mbrojtjes së fortë. Edicionin e shkuar Silva ishte kapiten i PSG-s në finalen e Championsit që e humbi 1:0 nga Bayerni. Ishte ndeshja e tij e fundit për francezët që nuk ia vazhduan kontratën dhe kjo e zhgënjeu pa masë Tuchelin, i cili atëbotë ishte trajner te PSG-ja.

“Vendimi nuk ka rëndësi. Ai do të mbetet lojtari im. Ai është në zemrën time dhe ishte e pabesueshme ta kaloja këtë kohë me të”, tha Tuchel nëntë muaj më parë.

Silva u bashkua menjëherë me Chelsean, por u ribashkua me Tuchelin në janar, kur gjermani zëvendësoi Frank Lampardin.

Edhe Triumfi i Cityt në FA, shpërblim për durimin nën drejtimin e Guardiolas Futboll Triumfi i Cityt në FA, shpërblim për durimin nën drejtimin e Guardiolas

Lëndimet e përjashtuan atë nga shumica e ndeshjeve të para të Tuchelit te Chelsea, por ai u rikthye në kohë për ta ndihmuar ekipin të kualifikohet në finale të Championsit. Edhe kur mungonte, Silva me përvojën e tij nga tribuna këshillonte Antonio Ruedigerin e Andreas Christensenin. Edhe Tuchel e di shumë mirë se përvoja e Silvas për ekipin e tij të mbushur me lojtarë të rinj është e paçmueshme.

“Unë jam shumë i sigurt se Thiago është një avantazh i madh për ne, sidomos në finale. Do të ndihem shumë më i sigurt me përvojën e tij pas atij zhgënjimi para një viti”, tha Tuchel për Silvan, i cili po kthehet në qytetin, që ishte i pari i tij në Evropë në vitin 2004, kur luajti për rezervat e Portos.