(AP) – Nga refugjati, në futbollist amator dhe më pas golashënues në Serie A. Kjo është rruga që pak a shumë e ka bërë 18-vjeçari Moustapha Cisse në dy vjetët e fundit.
Cisse mbërriti në Itali si refugjat në vitin 2019 dhe shpejt iu bashkua ekipit me bazë në Lecce, ASD Rinascita Refugees - një ekip amator që luan në nivelin e tetë të futbollit italian. Ai ishte me atë skuadër deri në muajin e kaluar, kur Atalanta e transferoi dhe i ofroi kontratë profesionale.
Të dielën mbrëma Cisse bëri debutimin e tij në Serie A, kur hyri si zëvendësues në minutën e 65-të në duelin kundër Bolognas. Ai e shënoi golin e vetëm të ndeshjes 17 minuta më vonë.
“Përveç aftësive të tij të shkëlqyera në futboll, ai është një djalë i jashtëzakonshëm”, tha ndihmëstrajneri i Atalantas, Tullio Gritti. “Ai erdhi në Bergamo dhe më pas u stërvit me ne. Ai është jashtëzakonisht i sjellshëm, mirësjellja e tij është një shembull, pavarësisht se jeta nuk ka qenë e lehtë për të. Megjithatë, ai është një person i mrekullueshëm i cili është i etur për të mësuar. Ai ka disa aftësi të shkëlqyera dhe këtë e dëshmoi me golin e shënuar. Cisse u dëshmua si kampion tashmë”.
Goli i Cisses dhe fitorja ndaj Bolognas ishin të rëndësishme për Atalantan, ekip që ka shkëlqyer vitet e fundit nën drejtimin e trajnerit Gian Piero Gasperini dhe po synon sërish ta sigurojë pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve për sezonin tjetër.
Atalanta është e pesta në tabelë dhe ka tetë pikë më pak se Juventusi që zë vendin e katërt, por ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Cisse, i cili u nis për në Itali nga Guinea pas vdekjes së babait të tij, shfrytëzoi mundësinë për të luajtur të dielën pas lëndimeve të shumta të sulmuesve të Atalantas. Shënimi i golave ka qenë konstant që kur ai iu bashkua ASD Rinascita Refugees, një ekip i përbërë tërësisht nga të huaj që kërkojnë azil në Itali.
Edhe
Milani siguron shërbimet e mesfushorit të talentuar
Cisse u vu re nga skautët e Atalantas dhe ai bëri udhëtimin në veri për në Bergamo më 23 shkurt, pasi klubi bëri zgjedhjen e pazakontë për t'i dhënë adoleshentit pa përvojë një nga vendet e pakta që skuadrave të Serie A u lejohen për lojtarët jashtë Bashkimit Evropian. Në debutimin e tij për ekipin e të rinjve, ai shënoi dy herë në një fitore 3:1 ndaj ekipit të rinjve të Milanit.
Më pas ai shënoi sërish kundër ekipit të rinjve të Napolit. Ndërsa golat u grumbulluan - së bashku me dëmtimet në ekipin e parë të Atalantas - Cisse u promovua në Serie A gjatë fundjavës. Dhe basti i trajnerit Gasperini për ta marrë në ekipin e parë u shpërblye. Që kur Gasperini mori drejtimin e ekipit pesë vjet më parë, Atalanta ka gjetur sukses duke promovuar lojtarët e ekipeve të reja në ekipin e parë. Dhe investimi i fundit që iu shpagua jo vetëm Gasperinit por edhe klubit, është pikërisht Cisse.
“Është në historinë e Atalantas. Klubi ka besuar gjithmonë në akademinë e tij. Ka qenë kështu për pesë deri në gjashtë vjet, falë presidentit i cili zgjodhi një trajner si Gasperini. Trajneri nuk e ka problem të hedhë lojtarët në ekipin e parë. Ata që kanë cilësi, vlerë dhe kokë të pastër”, u shpreh Griffi. “Njerëzit thonë se nuk ka talentë në Itali, por ne në fakt i kemi dhe për këtë duhet pasur guxim. Ne kemi guxim dhe i inkuadrojmë. Në fakt, është trajneri që e ka këtë guxim dhe klubi i beson. Debutimi i Cisset-it ishte një goditje gjeniale nga Gasperini, i cili tha se ky lojtar ka një talent të madh”.